Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka lënë në fuqi masën e “arrestit ne burg” për Ergys Agasin, i arrestuar disa javë më parë pas muajsh në arrati për dosjen dhe aferën e AKSHI-t.
Vendimi u mor sot nga Apeli pas shqyrtimit të ankimimit të bërë nga Agasi.
Të lidhura
None found
Ergys Agasi, u arrestua fund të gushtit në Durrës pas më shumë se 8 muajsh në arrati. Ai akuzohet se në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë të dosjes AKSHI kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal.
Agasi po hetohet për disa vepra penale, përfshirë grup të strukturuar kriminal, korrupsion aktiv, pastrim parash, konkurrencë të paligjshme, heqje e paligjshme e lirisë dhe shkelje të barazisë në tendera.
Njoftimi i plotë:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar z. Florjan Kalaja, sot më datë 22.09.2026, disponoi për çështjen penale nr. 43 akti, datë 17.09.2026 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim/ankues E.A, në lëndë të masave të sigurimit, si vijon:
Miratimin e vendimit nr. 62, datë 28.08.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në bazë dhe për zbatimin të nenit 103 të K.Pr.Penale ndalohet publikimi i vendimit deri në mbylljen e hetimeve paraprake.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall në Tiranë, më datë 22.09.2026.
