Doni të futeni në Polici? Hapen aplikimet për pranim në Akademinë e Sigurisë, ja kriteret

Policia e Shtetit ka hapur aplikimet për pranim në Akademinë e Sigurisë për ata studentë që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë në degët e përcaktuara, me një mesatare të notave mbi 8.

Në njoftimin e shpërndarë nga policia thuhet se aplikimet do të fillojnë nga dita e nesërme, 1 Tetor dhe do të vazhdojnë deri në fund të muajit.

Në kriteret që kërkohen për aplikantët janë: shtetësia shqiptare, të mos jenë të dënuar, të jenë nën moshën 30-vjeç dhe me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat.

“Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kibernetik, ftojnë dhe nxitin të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve dhe që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftim.

Njoftimi:

Hapen aplikimet për pranim në Akademinë e Sigurisë, për studentët që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë, në disa degë të caktuara, me mesatare të notave mbi 8.

Me qëllim plotësimin e funksioneve të lira organike dhe përzgjedhjen me barazi, paanshmëri dhe transparencë të kandidatëve më të mirë, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës e mosdiskriminimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përcaktuar kriteret për rekrutimin e studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.

Aplikimet fillojnë më datë 01.10.2022 dhe përfundojnë më datë 31.10.2022. Kuotat e pranimit janë 50.

Dosja me dokumentet për aplikim duhet të dorëzohet pranë Drejtorisë Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

Kuotat e pranimit në Policinë e Shtetit janë për të rinj që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë në shkencat juridike, ekonomike dhe kompjuterike.

Kriteret e përgjithshme për pranimin e këtyre kandidatëve në Akademinë e Sigurisë janë:

– të jenë shtetas shqiptarë;
– të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil;
– të kenë zotësi të plotë për të vepruar;
– të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundërvajtjeje penale me dashje;
– të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie;
– të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit, të tipit “B”;
– të plotësojë standardet dhe kriteret e veçanta që lidhen me konkurrimin.

Ndërsa standardet dhe kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë aplikantët për t’u pranuar në këtë cikël janë:

– të kenë përfunduar studimet në ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë në shkencat juridike, shkencat ekonomike dhe shkencat kompjuterike;
– të kenë mesataren mbi “8” të notave në ciklin e dytë të studimeve në arsimin e lartë;
– të jenë nën moshën 30 vjeç;
– të jenë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;
– të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë, sipas standardit ALCPT.

Aplikantët duhet të paraqesin pranë strukturave të burimeve njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë, dokumentacionin e mëposhtëm:

– Formularin e aplikimit, i cili tërhiqet paraprakisht pranë zyrave të burimeve njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë;
– Diplomën dhe listën e notave, të ciklit të parë dhe të dytë të studimit, të noterizuara (të dyja nivelet e diplomave të jenë të të njëjtës fushë studimi, në programe studimi të akredituara);
Aplikantët që kanë përfunduar arsimin e lartë jashtë vendit, të bëjnë njëvlefshmërinë e diplomave të fituara jashtë vendit dhe në Qendrën e Shërbimeve Arsimore pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të bëjnë përllogaritjen e notës mesatare të ciklit të dytë të studimeve;
– Fotokopje të kartës së identitetit;
– Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit, të tipit “B”;
– Vërtetim nga gjykata;
– Vërtetim nga prokuroria;
– 2 fotografi me përmasa 4 cm x 6 cm:

Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit, të cilat janë:

– vlerësimi sipas notës mesatare të ciklit të dytë të studimeve në të njëjtën fushë studimi;
– vlerësimi me testim i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT;
– intervistimi i aplikantëve;
– kontrolli shëndetësor;
– marrja e shenjave të gishtave;
– verifikimi përfundimtar i aplikantit.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kibernetik, ftojnë dhe nxitin të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve dhe që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.


Shtuar 30.09.2022 19:29