Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën ish-oficerit të Gardës së Republikës, e Fatos Skeja, i cili ishte në grupin që shoqëronte ish-kryeministrin Sali Berisha.
Vëllai i Hekuran Dedës, Hilmi Deda kishte deklaruar se Skeja kishte shkuar në familjen e tyre, pas vrasjes së vëllait dhe u kishte ofruar para për të blerë heshtjen e tyre.
“Më 23 janar 2011, në orën 11:30 të natës, na erdhi në shtëpi, piu edhe kafe. La edhe një 10 mijë lekësh. Pasi doli në rrugë kërkoi të bisedonte me mua dhe me vëllain e madh. Ishte dhe vëllai i vogël aty. Na premtoi një shumë lekësh: ‘Prisni Berishën. Pranoni Kryeministrin, pasi keni një shumë parash, që i kam mbajtur në valixhe dhe do ju tregoj fotografinë e atij që ka qëlluar mbi Hekuranin”, ka deklaruar Hilmi Dedja.
Skeja kishte ngritur padi në Gjykatën e Tiranës pas kësaj deklarate dhe kërkonte përgënjeshtrimin dhe një dëmshpërblim prej 2 milionë lekësh.
Edhe pse Gjykata i dha të drejtë, Apeli e rrëzoi vendimin dhe Gjykata Lartë ka lënë në fuqi verdiktin e Apelit, pra duke mos i dhënë të drejtë Fatos Skejës e duke mos rrëzuar kështu as deklaratën e Hilmi Dedës.
Vendimi:
II. Vlerësimi i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë
12. Në Gjykatën e Lartë në datë 11.04.2014 është regjistruar çështja nr. 11118-01285-00-2014 regj. them, që iu përket palëve: paditës Fatos Skeja dhe te paditur Hilmi Deda, me objekt: “Detyrimin e të paditurit të më shpërblejë për dëmin e shkaktuar në shumën 2.000.000 lekë. Detyrimin e të paditurit të publikojë një përgënjeshtrim të intervistës së dhënë në Vizion Plus, në këtë televizion dhe në tre nga gazetat me shpërndarjen më të madhe në vend”.
13. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë (në vijim Kolegji) vlerëson se, rekurset e paraqitura nga pala paditëse Fatos Skeja, nuk përmbajnë asnjërin nga rastet e parashikuara në ligj, prandaj si i tillë ato nuk duhet të pranohen.
14. Nga shqyrtimi i çështjes në dhomën e këshillimit rezulton se, rekurset e paraqitura nga pala paditëse Fatos Skeja, janë bërë për shkaqe të ndryshme nga ato që parashikohen në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile, pasi gjykatat më të ulëta e kanë respektuar ligjin material, duke e interpretuar dhe zbatuar drejtë atë. Vendimet e tyre nuk janë në kundërshtim me ndonjë vendim të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
15. Në përfundim të shqyrtimit të çështjes në dhomën e këshillimit, Kolegji arrin në konkluzionin se, rekurset e paraqitura nga pala paditëse Fatos Skeja janë të pabazuar në ligj, prandaj si rrjedhojë ato nuk duhet të pranohen.
PËR KËTO ARSYE,
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 480 të Kodit të Procedurës Civile.
V E N D O S I:
Mospranimin e rekursit të paraqitur nga pala paditëse Fatos Skeja, ndaj vendimit nr. 335, datë 11.02.2014 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
Tiranë, më 08.11.2022