Do paguante 120 mijë euro për ta hequr qafe, dëshmia e Alban Bengasit pas arrestimit: Me ish-gruan jam divorcuar, por kam marrëdhënie normale

Avokati Alban Bengasi, i cili u arrestua në Rinas pasi po kthehej nga Dubai dy ditë më parë, ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij.

Avokati, i cili sipas dëshmisë së Nuredin Dumani kishte porosituar vrasjen e ish-bashkëshoretes dhe do paguante 120 mijë euro për eleminimin e saj, u shpreh se s’ka lidhje me akuzat.

Në dëshminë para togave të zeza, theksoi se me ish-gruan kanë marrëdhenie të normale pavarësisht se janë divorcuar.

“Ju kanë futur në një rrugë pa krye, ju kanë orientuar gabim. Nuk kam lidhje me akuzat. Me bashkëshorten kam marrëdhënie normale pavarësisht se jemi divorcuar. Kërkoj të hetohem pa masë”, ka deklaruar Alban Bengasi në gjatë seancës së sotme (8 shtator) në Gjykatë.

Dëshmia e Nuredin Dumanit

Nuredin Dumani, në dëshminë e dhënë për hetuesit, ka rrëfyer se si avokati e pagoi për t’i vrarë bashkëshorten e tij, pasi dyshonte se ajo e kishte tradhtuar me shokun e ngushtë.

Blerta Ryçi, nëna e dy fëmijëve të Alban Bengasi, u dhunua brenda më 31 Janar të vitit 2020 teksa qëndronte në automjetin e saj, por pavarësisht akuzave të saj se ngjarja ishte porositur nga i shoqi, ngjarja u zbardh vetëm pas prangosjes së Nuredin Dumanit, rreth dy vite më vonë.

“Një person u afrua dhe qëlloi me grushte për disa minuta. Sipas prokurorisë ajo humbi vetëdijen për të paktën 9 ditë megjithatë arriti t’i tregojë hetuesve identikitin e autorit duke thënë se ai ishte një person i moshës 28-33 vjeç, rreth 178 cm i gjatë, ezmer, flokë të errët të shkurtër”, rrëfeu ajo.

I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani u ka thënë hetuesve se porositësi i këtij sulmi ishte pikërisht bashkëshorti i saj, Alban Bengasi me të cilin në atë kohë ajo ishte në proces divorci. Sipas Dumanit, Bengasi e donte të vdekur bashkëshorten e tij pasi dyshonte se ajo e kishte tradhtuar me shokun e tij të ngushtë.

Nuredin Dumani i ka thënë grupit hetimor se personi që e ka kontaktuar fillimisht me avokatin ka qenë Festim Qoli, një nga 9 personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”. Sipas tij, Festim Qoli kërkonte t’i bënte nder Dumanit sepse pretendonte që avokati Alban Bengasi do e ndihmonte të merrte 500 mijë euro dëmshpërblim nga shteti për shkak se tërmeti i kishte dëmtuar kompleksin në pronësi të tij.

Ndër të tjera ai tregon se avokati nuk i ka dhënë paratë sepse donte që ajo të ishte sa më e dëmtuar. Ai shprehet se pasi nuk kanë rënë dakord, avokati i ka thënë se do ia kërkonte këtë nder të Gjergj Cukalit ( i konsideruar si i forti i Myslym Shyrit) i cili sipas tij ishte në borxh me të sepse e kishte nxjerrë njëherë nga burgu.

“Më ofroi çmimin e 120.000 eurove për ta mbaruar si punë. I thashë është shumë pak për një femër. Më thanë nëse nuk e bën ti do ti them Gjegj Cukalit ta bëj pasi më ka borxh për një nder pasi e kam nxjerr nga burgu. I thashë vazhdo me Gjergjin unë se marr përsipër këtë gjë”, tha ai në dëshminë e tij.


Shtuar 8.09.2023 14:22