Pas protestave masive të zhvilluar deri më tani një ditë më parë, qytetarët pritet të rikthehen sërish sot në shesh për ditën e 12-të radhazi të tubimeve kundër qeverisë.
Protesta, e cila nisi si kundërshtim ndaj projekteve të ndërtimit në zonën e Zvërnecit, është shndërruar tashmë në një lëvizje më të gjerë qytetare, ku kërkesat kryesore mbeten ndalimi i ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama së bashku me kabinetin qeveritar.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, protesta ka kapërcyer kufijtë e Tiranës, duke gjetur mbështetje edhe në qytete të tjera të vendit, si dhe mes shqiptarëve të diasporës, të cilët kanë organizuar tubime solidarizuese në vende të ndryshme të Europës.
Dita e djeshme shënoi pjesëmarrjen më të madhe qytetare që nga nisja e protestave. Pas fjalimeve dhe thirrjeve përpara Kryeministrisë, mijëra qytetarë marshuan për disa orë në rrugët kryesore të Tiranës, duke vijuar protestën deri afër mesnatës.
Ashtu si në ditët e mëparshme, edhe sot pritet të dëgjohen sloganet që janë kthyer në refren të përditshëm të protestës: “Rama jep dorëheqjen”, “Rama n’burg, Berisha n’burg” dhe “Shqipëria e re”.
