Dita e sotme shënon ditën e 10-të të bllokadës së rrugëve në veri të Kosovës, përkatësisht në dy pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.
Serbët, të cilët nuk pranojnë reciprocitetin për targat të vendosur nga qeveria e Kosovës, kanë bllokuar rrugët me kamionë ne vetura, ndërkohë që shumë prej tyre edhe po qëndrojnë aty.
Sipas medieve lokale në veri, situata edhe mbrëmjen e djeshme ka qenë e qetë.
Për këtë çështje, sot në Bruksel prite të takohen shefat e grupeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi e Petar Petkoviç.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se ky është hapi i parë pozitiv për shtensionim të situatës në pikat kufitare. Situata është tensionuar me patrullimet e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën, qoftë me aeroplanë, helikopterë apo mjete të blinduara.
Ndërsa shefi i BE-së, Josep Borrell, në deklarimin e djeshëm ka thënë se është e rëndësishme që shefat e grupeve negociatore “të vijnë me mandatin për të folur për të ardhmen dhe për të gjetur zgjidhje afatgjate në interes të qytetarëve”./albeu.com