Numri i vdekjeve të shkaktuara nga temperaturat e ulëta në Afganistan është rritur, duke marrë më shumë se 120 jetë në dy javët e fundit, tha një zyrtar më 23 janar.
Shafiullah Rahimi, zëdhënës i Autoritetit Kombëtar të Menaxhimit të Fatkeqësive të vendit, tha për DPA-në se më shumë se 50 shtëpi janë shkatërruar plotësisht dhe 70 mijë kafshë kanë ngordhur.
Sëmundjet e frymëmarrjes, kryesisht te fëmijët, shtohen çdo vit gjatë stinës së ftohtë, por ky dimër ka qenë jashtëzakonisht i ftohtë, në kohën kur më shumë afganë po përballen me varfëri.
Sipas Departamentit Meteorologjik të Afganistanit, temperatura më e ulët e regjistruar në janar ishte minus 34 gradë celsius në provincën qendrore të Ghorës.
Më shumë se gjysma e 38 milionë banorëve të Afganistanit po përballen me urinë dhe gati 4 milionë fëmijë vuajnë nga kequshqyerja, sipas agjencive të ndihmave humanitare./rel/