Ditën e sotme do të zhvillohen dy seanca të Kuvendit të Shqipërisë.
Mbledhja e deputetëve do të mbahet në kuadër të zgjedhjes së presidentit të ri, ndërkohë që pritet të konsumohet edhe raundi i tretë i votimit në Kuvend, ku deputetëve nuk iu është propozuar asnjë kandidaturë.
Pavarësisht diskutimeve kryesisht të nivelit teknik, dhe një marrëveshje që në 3 raundet e para propozimet për president të bëheshin nga deputetët e opozitës, këta të fundit nuk dërguan asnjë emër në administratën e Kuvendit. Afati i fundit për ta bërë një gjë të tillë skadoi gjatë pasdites së djeshme.
Seanca ku do të digjet edhe raundi i tretë, që parashikon Kushtetuta për zgjedhjen e presidentit do të mbahet në orën 10:00, dhe një orë më vonë Kuvendi do të mblidhet sërish për të vijuar me rendin e zakonshëm të ditës.