Gjykata Supreme i ka liruar nga paraburgimi tri infermieret e dyshuara për sulm fizik ndaj të moshuarës në Qendrën “Orenda” në Pejë.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se Kolegji gjyqesor i Gjykates Supreme, e ka pranuar si te bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë te mbrojtësit të pandehurës A.R., avokatit Blerim Ademaj”, ka deklaruar Uka-Lutfiu për Express.
Ato do të mbrohen në liri.
“Me pranimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të pandehurës A.R., e sipas detyrës zyrtare edhe për të pandehurat A.P. e R.K., ndryshohen aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm DP.PP.nr.336/2022 të datës 03.11.2022 dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti i Përgjithshëm PN1DP.nr.1561/2022 të datës 11.11.2022, ashtu që të pandehurave iu ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtat lëshohen menjëherë për tu mbrojtur në liri”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.
Ndryshe, pamjet që u xhiruan brenda kësaj qendre u bënë virale dhe nxitën reagime të ashpra. Aty shfaqej një infermiere duke e rrahur një të moshuar, derisa koleget e saj qeshnin e argëtoheshin me këtë skenë.
Të moshuarën e kanë larguar familjarët nga qendra, e infermierët janë arrestuar dhe u është revokuar licenca përkohësisht. Ato dyshohen se kanë kryer veprën penale “sulmi”. Gjykata Themelore e Pejës ua kishte caktuar të njejtave masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Caktimin e kësaj mase, Gjykata e kishte arsyetuar me rrezikun e ndikimit në dëshmitarë, që janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale e të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende, si dhe në deklaratën e viktimës. Po ashtu, thuhet se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale.
“Të pandehurave iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që gjyqtari i procedurës paraprake, në vlerësim të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të pandehurave konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtat e kanë kryer veprën penale që ju vihet në barrë ngase ky dyshim mbështetet në provat që janë dorëzuar nga prokuroria dhe se me gjetjen e mundshme të pandehurave në liri ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë të cilët janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale e të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende, si dhe ndikimit në deklaratën e të dëmtuarës pasi që e njëjta është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe nuk është deklaruar ende”, thuhet në njoftimin e Gjykatës./Gazeta Express