DETAJET/ Aksidenti ku humbi jetën drejtori i Shërbimit Pyjor, policia arreston shoferin e kamionit

Janë zbardhur detaje të reja nga aksidenti tragjik në Maliq ku ndërroi jetë, drejtori i Shërbimit Pyjor në Bashkinë e këtij qyteti.

Sipas policisë, nga hetimet ka rezultuar se shoferit të kamionit, i ka dalë nga kontrolli mjeti të cilin e kishte fikur dhe parkuar, por që ka filluar të lëvizë me shpejtësi në një dishezë dhe më pas është përmbysur në rrugë”, duke i marrë jetën drejtorit Marsel Nazifi.

Lidhur me aksidentin, policia e ka arrestuar shoferin e kamionit, i cili ishte banues në Kamëz, duke ngritur mbi të akuzën “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Vrëpckë, Maliq, ku si pasojë e përmbysjes së një mjeti, gjeti vdekjen shtetasi M. N., 36 vjeç, banues në Korçë, ju informojmë se:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. G., 63 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë, (me detyrë shofer pranë një firme), pasi dyshohet se këtij shtetasi i ka dalë nga kontrolli mjeti tip kamion “Benz”, që e kishte fikur dhe parkuar, i cili ka filluar të lëvizë me shpejtësi në një dishezë dhe më pas është përmbysur në rrugë, duke shkaktuar vdekjen e 36-vjeçarit M. N., pasagjer në këtë mjet.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.


Shtuar 10.07.2021 12:24