DETAJET/ A rrezikon Sandër Lleshaj? Tenderi që fundosi zyrtarët e Ministrisë së Brendshme (FOTO LAJM)

Ditën e sotme SPAK zhvilloi një aksion në Ministrinë e Brendshme ku u lëshuan 9 arreste për zyrtarë të lartë të kësaj ministrie.

Në pranga janë vendosur 8 shtetas dhe një është lënë në “arrest shtëpie”, aksion i cili dyshohet se ka lidhje me tenderin e uniformave të policisë.

Sipas burimeve për albeu.com ky tender ka shkaktuar një dëm të lartë ekonomik për buxhetin e shtetit, 23 milionë euro, si dhe ka shkelur garën e barabartë.

Në lidhje me këtë tender, është akuzuar publikisht nga PD edhe ish ministri Sandër Lleshaj, por ende nuk ka asnjë informacion nesë është përfshirë në këtë aksion të SPAK.

Të arrestuar janë:

Edlira Naqellari, ish-drejtoresha e Blerjeve të Përqëndruara në MPB, e shkarkuar nga ministri Bledi Çuçi 8 ditë më parë.

Flutura Çekrezi, zyrtare pranë Agjencisë së Blerje të Përqëndruara

Fatmir Demneri, anëtar i KVO

Mariglen Buzali, anëtar i KVO

Kreshnik Bejkaj, anëtar i KVO.

Ani Omuri, anëtar i KVO.

Anisa Bogdani, anëtar i KVO.

Gëzim Mingaj, anëtar i KVO.

 

Kallëzimi në SPAK nga ana e PD:

Në gusht të vitit 2020, Grupi parlamentar demokrat ka kallëzuar në SPAK ish- ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj dhe ministren Olta Xhacka, për skandalin e tenderit të uniformave të Policisë së Shtetit.

Në kallëzimin e bërë të asaj kohe nga ana e grupit parlamentar demokrat thuhet se dy ministrat e qeverisë kanë kryer një sërë veprash penale, që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës apo afera korruptive.

Në kallëzimin e dorëzuar në SPAK, ish- ministri Sandër Lleshaj akuzohet për 5 vepra penale, duke nisur nga korrupsioni i funksionarëve të lartë shtetërorë.

Fituese e tenderit, të zvarritur për gati një vit, është kompania D&E shpk, me një oferte prej 26 milionë dollarësh, 5 milionë dollarë më shumë se kompania turke, Genç Taahhüt Giyim.

Sipas deputetëve të opozitës, në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave ishin 3 anëtarë, të cilëve iu bë presion që të skualifikohej kompania e renditur e para, e cila plotësonte të gjitha kriteret, dhe që ofronte edhe 5 milionë dollarë më pak, miërpo për të shtypur rezistencën e tyre në këtë komision u shtuan papritur edhe dy anëtarë të rinj pa asnjë shpjegim, duke e çuar numrin në pesë persona.

“Nga ana e Drejtoreshës së Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar, Edlira Naqellari, nën bekimin e Sandër Lleshajt, komisionit i janë ofruar para për të skualifikuar firmën e kualifikuar si e para, por pasi një pjesë e tyre kanë vendosur që të mos e shkelin ligjin, Edlira Naqellari bashkë me Sandër Lleshajn kanë vendosur të shkrijnë Komisionin”, shprehen deputetët opozitar.

Më pas gara u zhvillua me një komision prej tre anëtarësh duke shpallur fituese kompaninë D&E shpk e cila kishte dhe vlerën më të lartë të ofruar, çka sipas deputetëve është provë e qartë se fituesi ka qenë i paracaktuar.

Në kallëzimin zbulohet se grabitja e parave për qepjen e uniformave të policisë mund të jetë më shumë se 11 milionë dollarë, pasi nga D&E shpk është ofruar 51,5% të fondit limit pre 28 milionë dollarësh dhe kontrata duhet të lidhej me rreth 14 milionë dollarë.  /albeu.com/

 


Shtuar 10.07.2021 09:46