Detaje tronditëse nga vrasja e shqiptares në SHBA, ish-burri i preu fytin në sy të vajzës

Detaje të reja kanë dalë në dritë, lidhur me ngjarjen e rëndë në Largo të Floridas, në SHBA, ku shqiptari Renato Muhaj, vrau ish-partneren e tij 32-vjeçare Suela Saliaj, po shqiptare dhe më pas rrëmbeu vajzën e tij 8-vjeçe.

Sipas mediave amerikane, 32-vjeçarja u gjet e vdekur në dyshemenë e dhomës së saj të gjumit, e mbuluar në gjak.

E reja u vra nga ish-bashkëshorti i saj, 34-vjeçari Renato Muhaj, në apartamentin e saj Belleair Place në Clearwater, Florida.

Sipas mediave vendase, Muhaj i ka prerë fytin viktimës në sy të vajzës së tyre 8-vjeçare.

Autoritetet thanë se Muhaj, u gjet bashkë me vajzën disa orë më vonë në automjetin e tij dhe ai u arrestua menjëherë.

Vajza është bashkuar me anëtarët e tjerë të familjes.

Pas ngjarjes së rëndë, një anëtar i komunitetit ka hapur një llogari në GoFundMe në emër të familjarëve, për të ndihmuar në pagesën e shpenzimeve të funeralit dhe për të mbështetur vajzën 8-vjeçare të Suela Saliajt.

“Të dashur miq dhe familjarë, ne jemi bashkë në një kohë pikëllimi për të kërkuar mbështetjen tuaj për shpenzimet e varrimit dhe kujdesin e Alessia-s në kujtim të Suelës sonë të dashur. Bujaria juaj gjatë kësaj kohe të vështirë do të na ndihmojë të nderojmë kujtimin e saj dhe të sigurojmë fëmijën e saj të çmuar”, shkroi një prej familjarëve.

Vrasja ndodhi më 30 Janar, ndërsa në dëshminë e saj vajza 8-vjeçare, tha se e dinte se nëna e saj kishte vdekur dhe e kishte pyetur të atin “pse e bëri këtë”?


Shtuar 31.01.2024 13:33