Më 17 shtator, babë e bir tentuan të kalonin 300 kg kanabis me kamionin e tyre në pikën kufitare të Bozhajt në Mal të Zi.
Gjatë kontrollit të kamionit të ngarkuar me dërrasa dhe me paleta që kishin destinacion Austrinë, autoritetet doganore të Malit të Zi, kanë gjetur 180 pako me kanabis.
Babë e bir ranë në pranga. Sakaq ditën e sotme janë zbuluar detaje të reja në lidhje me ngarkesën e sekuestruar.
Droga rezultoi se ishte futur nga Shqipëria. Në Portin e Durrësit është futur në skaner një tjetër mjet i cili ka rezultuar pastër pasi brenda tij nuk kishte lëndë narkotike.
Pasi kamioni është larguar nga Durrësi i pastër, dyshohet se babë e bir, Ilirjan e Kristi Orhan, të arrestuar në vendin fqinj, i kanë marrë targat e mjetit që i’u nënshtrua skanerit dhe i kanë vendosur në një kamion tjetër në territorin e Tiranës, që u kap në pikën kufitare të Hanit të Hotit.
Hetuesit kanë dyshime se droga të jetë ngarkuar në periferi të Tiranë ose në Durrës, dhe për këtë po punohet nga hetuesit në këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë. Firma që bënte transportin ka rezultuar fiktive, e paregjistruar, që merrej me transportin dhe tregtimin e frutave të thata.
Policia po heton edhe për bashkëpunëtorë të tjerë të përfshirë në këtë skemë të trafikut ndërkombëtar të drogës. Tashmë hetuesit kanë dy pyetje: ku është ngarkuar kamioni me drogë dhe ku ka përfunduar kamioni tjetër që iu hoqën targat dhe rezultoi i pastër në skanerin e Portit të Durrësit./Albeu.com