Arvid Halili, 34 vjeç u arrestua më 16 nëntor 2023, pasi në automjetin tip “BMW” që drejtonte u gjetën 18 pako me kokainë.
Arrestimi i tij u bë në pikën e kalimit kufitar me Kroacinë, Debeli Brijeg.
Sakaq, është zbardhur dhe itinerari i lëndës narkotike kokainë, në 18 pako të ndryshme.
Makina tip “BMW” e shkodranit Arvid Halili, i arrestuar nga policia e Malit të Zi, ka mundur të kalojë në pikën kufitare të Muriqanit, dhe destinacion final kishte kryeqytetin e Francës, Parisin, dhe vlera në tregun atje do të shkonte në rreth 2.2 milionë euro.
Policia e Shtetit konfirmon se droga fillimisht ka qenë brenda territorit të vendit tonë, ndryshe nga sa është raportuar e anasjellta në fillim.
Autoritetet malazeze mësohet se kanë pasur informacion për praninë e lëndës narkotike dhe e kanë mbajtur në vëzhgim të riun shkodran përgjatë udhëtimit të tij në tokën e shtetit fqinj drejt pikës kufitare të Debeli Brijeg me Kroacinë.
Dyshimet e hetuesve janë se kjo sasi kokainë ka mbërritur në vendin tonë përmes portit të Vlorës ose Durrësit, me origjinë nga vendet e Amerikës Latine.
Arvid Halili rezulton korrier i një prej klaneve shqiptare të transportimit të drogës, por nuk përjashtohet mundësia që këtë herë të ketë qenë i vetëm, edhe pse para hetuesve malazez nuk ka dhënë detaje.
/albeu.com