Dështon koalicioni pro-rus në Maqedoni? Zaev dhe Ahmeti ruajnë maxhorancën në Kuvend

Koalicioni i panatyrshëm mes partive shqiptare “Alternativa-AASH”; Lëvizjes “Besa” me nacionalistët e VMRO-së dhe anti-perëndimorët e “E majta” duket se ka ekzistuar vetëm disa orë.

Kjo, pasi kooardinatori i aleancës “Alternativa-AASH”, Zejd Rexhepi nuk ka pranuar të japë firmën e tij për të rrëzuar qeverinë Zaev-Ahmeti nisur nga fakti se në koalicionin opozitar ndodhej pikërisht partia anti-shqiptare “E majta”. Në një prononcim për mediat në Maqedoni, Rexhepi është shprehur se nuk e dinin që mocionin e mosbesimit ndaj Zaevit do ta firmoste edhe “E majta”.

“E para gjithë deputetët kemi qenë të bindur që E Majta nuk nënshkruan. Marrëveshja ishte që do të nënshkruaj LDP-ja, Besa, VMRO-ja dhe ne. Në frymën e kësaj u dakordova që do e jap nënshkrimin”, është shprehur ai. Një dështim i tillë i opozitës për momentin mund të konsiderohet ngjarje pozitive sa i përket orientimit pro-atlantik të Maqedonisë së Veriut, pasi partia “E majta” që ishte pjesë e këtij koalicioni ka qasje anti-NATO; anti-Perëndim dhe anti-shqiptar. Dy deputetët e saj do të kushtëzonin mjaft vendime që afronin vendin drejt Perëndimit.

Për këtë ka reaguar edhe kryeministri Zoran Zaev, ka përmes një shkrim në Facebook, ka komentuar zhvillimet e fundit në vend. “Për një dëshirë të kotë për pushtet, ata ishin gati ta çonin vendin tatëpjetë dhe njerëzit të vuanin. Këto ditë jemi dëshmitarë të kërcënimit të Marrëveshjes së Prespës, Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, shoqërisë së përbashkët dhe të barabartë, qetësisë së qytetarëve brenda dhe marrëdhënieve të mira me fqinjët.

Por ky vend ka popullin, qytetarët, demokratët, luftëtarët, politikanët dhe partitë e veta që nuk do të lejojnë që Mickoski, Apasiev dhe Gruevski të kapin dhe shkatërrojnë përsëri vendin. Kauza jonë është edhe civile edhe shtetërore. E di që shumica e qytetarëve tanë dhe shumica e deputetëve tanë qëndrojnë me krenari pas kësaj kauze. Demokracia, liria, solidariteti dhe uniteti janë vlerat tona” shkruan Zaev. /abcnews.al


Shtuar 8.11.2021 17:35