Deputetët u ngujuan mes territ në Kuvend, Berisha paralajmëron grevë urie: Kjo është betejë!

Ditën e djeshme 19 tetor, deputetët e opozitës bllokuan nisjen e seancës parlamentare. Për shkak të tensioneve, nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj njoftoi se seanca nuk do të zhvillohet.

Teksa deputetët e mazhorancës u larguan dhe automati i Kuvendit u fik, deputetët e opozitës megjithatë vijuan të qëndronin brenda ambienteve të Kuvendit.

Madje në sfond dëgjoheshin dhe këngë patriotike, e mes tyre edhe kënga “Mora Fjalë” që i kushtohet heroit legjendar Adem Jashari.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Albeu.com (@albeucom)

Ditën e sotme, në konferencën e përjavshme me gazetarët, ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar grevë urie.

Berisha: Absolutisht greva e urisë është përmendur, ashtu siç thoni ju. Plotësisht! Ka gatishmëri të vërtetë dhe është një opsion. Nuk ka diskutim, kjo është betejë. Ne e kemi nisur këtë, kur ai de facto na asgjësoi ne në parlament. Kur arriti gjer aty sa të na caktojë përfaqësuesin tonë në komisionin e reformës elektorale.

Çfarë mund të presësh më shumë se kaq? Ka një eliminim më të fortë se ky? Pra, ne caktuam Oerd Bylykbashin, një ekspert i shquar, i njohur edhe nga komuniteti ndërkombëtar për njohuritë e tij në të drejtën elektorale, dhe ai thotë unë dua Enkelejdin. Jo atë, nuk e pranoj, pranoj Enkelejdin. Pranon pengun. Kështu pastaj nuk mund të ecet.

Ai këtë situatë e krijoi vetë, për këtë situatë do përgjigjet. Ky është njëri aspekt, por çdo aspekt tjetër është i tillë. Merrni ju qëndrimin ndaj Kosovës. Nuk mund të pranojmë ne kurrë këtë. Ne kemi qëndruar në një pozicion të vetëpërmbajtur sepse ne nuk duam të ndërhyjmë në punët e brendshme të Kosovës. Në raste madhore kur cenohet interesi kombëtar, siç janë çështjet e territorit, sigurisht e kemi këtë të drejtë.

Por në raste të tjera nuk kemi ne, Kosova ka përfaqësuesit e vet. Më vjen keq që e përsëris, jam marrë gjithë jetën me të.

Që në momentin që Kosova ka pasur përfaqësuesit e vet, kam pasur vetëm një fjalë për udhëheqjen politike të Beogradit. Kurrë në tryezë me mua nuk diskutoni çështjen e Kosovës. Kurse ky organizon kurthe. A nuk u takua ky fshehtas me Vuçiç në Nju Jork? Dhe tre apo pesë ditë më vonë, Radoiçiç bëri atë që bëri. Dhe ky nuk e mohoi, përkundrazi doli e tregoi se çfarë kishin biseduar atje. Pa shprehur ngushëllime për Afrim Bunjakun, të rënin.

Tani merr fund kjo gjë, jemi gjysma e kombit. Nuk mund të sillet kurrë në këtë mënyrë, ose ta mbyllë gojën të mos ndërhyjë në punët e brendshme, ose do i bëhet ajo problem i madh këtu brenda.

 


Shtuar 20.10.2023 13:06