Deputetja demokrate Ina Zhupa ka ngritur shqetësimin për projektimin e terminalit të autobusëve në Sarandë, të cilin e konsideron një gabim të rëndë në infrastrukturën e qytetit. Sipas saj, për shkak të një planifikimi të mangët, çdo ditë autobusët dhe mjetet e tjera të transportit detyrohen të kryejnë një manovër të panevojshme duke shtuar rreth 1.5 kilometra rrugë deri në rrethrrotullimin në hyrje të Sarandës, vetëm për t’u riorientuar në kahun e duhur.
Zhupa thekson se edhe vetë rrethrrotullimi paraqet problematikë për shkak të ndërtimit jofunksional. Kjo situatë, sipas saj, gjeneron çdo ditë trafik të rënduar, rritje të ndotjes dhe vonesa të konsiderueshme për udhëtarët. Ajo akuzon Bashkinë e Sarandës se e ka konceptuar këtë projekt pa analiza serioze nga specialistët dhe pa një vizion afatgjatë urban.
Të lidhura
None found
Në reagimin e saj, deputetja e PD-së e përshkruan këtë si rutinën e përditshme të transportit në Sarandë. Ajo shpjegon se dalja e gabuar e terminalit i detyron mjetet e udhëtarëve të kryejnë këtë xhiro absurde çdo ditë. Në vend që të futen menjëherë në itinerarin e tyre, ato shtyhen të udhëtojnë rreth 1.5 kilometra drejt rrethrrotullimit në hyrje të qytetit për të bërë kthesën dhe për t’u rikthyer në pikën e nisjes së destinacionit.
Sipas Zhupës, situata rëndohet edhe më tepër nga fakti që projekti është mbështetur në ato që punonjësit e bashkisë i quajnë eksperimente pas ndërtimi, dhe jo mbi studime të mirëfillta ekspertësh. Edhe rrethrrotullimi në fjalë është konceptuar në mënyrën më jopraktike, duke bllokuar mjetet e tonazhit të madh, duke shkaktuar ngarkesë artificiale të trafikut dhe duke e bërë të vështirë qarkullimin normal.
Deputetja përmbyll duke argumentuar se kjo gjendje është fryti i një infrastrukture të konceptuar jo nga ekspertë të sigurisë rrugore dhe planifikimit urban, por bazuar në vendime arbitrare të bashkisë, pa studime dhe pa vizion. Pasoja, nënvizon ajo, është e dukshme për të gjithë: kohë e humbur për qindra pasagjerë, ndotje e shtuar nga emetimet shtesë dhe një portë hyrëse e qytetit e mbingarkuar nga trafiku. Sarandës, sipas saj, i duhet një infrastrukturë moderne dhe praktike, jo projekte të hedhura pa mend të cilat u rëndojnë përditë banorëve, sipërmarrjeve dhe pushuesve.
