Ai ka bërë katër herë burg. Të katërta herët është shpallur fajtor për dhunë në familje. Dhe sapo ka dalë nga qelia ku dhe ka vuajtur dënimin e fundit, ai ka vrapuar për në banesë. Nuk priste që të takonte gruan që e denoncoi por së paku shpresonte që të gjente sendet personale. Aty në shtëpinë ku çifti jetonte nuk kishte mbetur më asgjë e tij.
Me bindjen se veshjet personale dhe çdo gjë që i përkiste ja kishte vjedhur ish e dashura, A. C shkoi në polici, tek e njëjta që e arrestoi një vit më parë dhe denoncoi ish partneren për vjedhje. Kjo çështje u mbajt shënim nga policia numër 3 thanë burimet e Gazetasi.al që pasi kanë regjistruar ankesën penale, kanë shkuar në banesën e 34 vjeçarit me inicialet A.C.
I riu me një kartelë të pasur për dhunë në familje ndaj ish të dashurave, më e fundit një grua e divorcuar këmbëngul se partnerja e fundit jo vetëm kishte gënjyer, por është zhdukur duke përvetësuar unazën e tij dhe sende të tjera që kishin kuptim shpirtëror për të.
“Pasi u arrestova dhe kreva burgun u ktheva në shtëpi, ish e dashura ime kishte vjedhur të gjitha rrobat e mia, aparatët celuarë katër të tillë, tapetet e shtëpisë, 6 mijë lekë të reja shqiptare, 40 euro, dy byzylykë të thjeshtë dore, një unazë sermi që kushtonte 7 mijë lekë të reja, enët e kuzhinës dhe madje edhe derën e shtëpisë”. Për këtë të fundit 33 vjeçari e përshkruan se ishte material duralumini.
“Unë dua sendet e mia, s’dua ta shoh me sy ish të dashurën. Në dijeninë time këto sende ja ka bllokuar policia e shtetit atëherë kur u arrestova, kështu që gjenden edhe në procesverbalë dhe ajo i ka vjedhur. Ish e dashura ka ardhur dhe i ka marrë me procesverbal sendet e mia që ishin një unazë sermi dhe 22 mijë lekë të vjetra”
Policia i thotë Gazetasi.al se mbasi ka kqyrur banesën ku jetonte çifti përpara se i riu të arrestohej ka zbuluar adresën e re të gruas, me status e divorcuar dhe 11 vjet më e madhe në moshë se denoncuesi.
“Ish bashkejetuesi ra në burg pasi më dhunonte – thotë gruaja – dhe tek shtëpia ku ne bashkëjetuam qëndrova dhe tre apo katër muaj.”
Gruaja këmbëngul se ish i dashuri s’kishte para, dhe as sende por vetëm rroba. Gruaja mohon që t’i ketë vjedhur pasi nuk kishte për çfarë t’i duheshin.
“Rrobat e tij i hodha në plehra, enët e kuzhinës i mora me vete, telefonët i flaka se ishin të prishur. Nuk ka patur as euro dhe as unazë sermi. Kishte vetëm 6 mijë lekë të vjetra që se kam idenë ku janë”, insiston gruaja që pretendon se ish-i dashuri e ka dorëzuar këtë kallzim për ta shqetësuar atë dhe për mos ta lejuar që të vazhdojë jetën.
Por policia nuk është e bindur nëse ajo po thotë të vërtetën, pasi ka dyshime se gruaja në nerva e sipër mund ta ketë boshatisur banesën përshi edhe derën si një shenjë reagimi kundër dhunës së vazhdueshme.
“Kallzuesi njihet në polici si një i alkoolizuar dhe problematik me gratë, është dënuar katër herë dhe kjo e bën atë të dyshimtë ndonëse në këtë rast pse jo ai mund të ketë të drejtë pjesërisht, duke qenë se ish e dashura ja flaku rrobat në plehra”, mbyll për Gazetasi.al burimi policor.