Del ekspertiza, ja shkaku i zjarrit në magazinën ku vdiq Arjan Sala

Ka dalë ekspertiza përfundimtare për zjarrin e rënë në magazinën e një qendre tregtare në Tiranë, ku për pasojë i mori jetën Arjan Salës.

Njoftohet se zjarri në magazinën e qendrës tregtare u shkaktua nga shkëndija elektrike e një neoni të vjetër. Ky është konkluzioni përfundimtar që kanë nxjerrë ekspertët e shërbimeve zjarrfikëse, në sajë të ekspertizës së kryer prej tyre.

Sipas ABCNews nga hetimet ka rezultuar që neoni ishte në gjendje jo të mirë dhe gjysmë i amortizuar dhe në pjesën më të madhe të kohës qëndronte i tejnxehur. Ngjitur me tavanin ku ishte vendosur neoni ndodhej edhe një raft me rroba sintetike që si pasojë e shkëndijës ato janë përfshirë menjëherë në flakë duke bërë kështu që flakët të përhapen me shpejtësi dhe në gjithë magazinën.

Bëhet me dije se përgjigja përfundimtare e ekspertizës ka dalë 10 ditë më parë dhe është dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës, institucion ky që po kryen hetimet e mëtejshme. Nga ana tjetër, prokuroria ka marrë gjithashtu një ekspert të pavarur i cili do të vërtetojë nëse kabujt elektrikë në garazhin e qendrës tregëtare të modifikuar si magazinë, ishin ose jo të amortizuar.

Njoftohet se për mosmarrjen e masave për mbrojtjen nga zjarri, shërbimi zjarrfikës ka gjobitur me dy milionë lekë të vjetra pronarin e qendrës tregtare.

Arjan Sala, i cili shpëtoi 25 persona të tjerë të cilët punonin në atë magazinën, u shpall pak kohë më parë Dëshmor i Atdheut dhe pati një mbështetje të madhe nga të gjithë bashkëkombësit për familjen  e tij./Opinion.al


Shtuar 30.04.2021 16:46