DEA dhe Europol shkatërrojnë grupin kriminal në Selanik, arrestohet një shqiptar, sekuestrohet drogë sintetike

Një grup kriminal më seli në Selanik, i cili prodhonte sasi të mëdha kanabisi sintetik në një laborator të paligjshëm, me seli në Selanik, është shkatërruar pas një operacioni madhor që kulmoi me arrestimin e pesë anëtarëve të dyshuar të tij.

Lënda narkotike duket se është dërguar me postë dhe nëpërmjet kompanive korriere në tregjet në Europë dhe Amerikë, pas porosive përkatëse të marra nga grupi kriminal nga blerësit potencialë në një platformë të posaçme për shkëmbimin e mesazheve të koduara, ndërkohë që transaksionet financiare zgjidheshin me anë të portofolëve elektronikë – kriptovalutave.

Si anëtarë të këtij grupi u arrestuan pesë burra, katër grekë dhe një shqiptar (përkatësisht 29, 35, 58, 39 dhe 28 vjeç). Dy të parët, sipas një njoftimi të policisë greke, akuzohen si drejtues të grupit. I pari pranoi porositë dhe i dyti e përgatiti drogën në laboratorin e vendosur në qendër të Selanikut.

Siç u bë e ditur, sekuestrimi dy muaj më parë në Lituani i tetë pakove postare të ardhura nga Selaniku me lëndë narkotike sintetike, mobilizoi edhe autoritetet ligjzbatuese europiane. Në hetimet për zbulimin e rrjetit morën pjesë oficerë nga Prokuroria e Selanikut, ndërsa kolegët e tyre lituanezë, EUROPOL si dhe Shërbimi Amerikan i Narkotikëve (D.E.A. i Athinës) dhe punonjës të Departamentit të Kimisë së Shtetit morën pjesë në hetime.

Në laboratorin e improvizuar dhe të mirëorganizuar, si dhe në një magazinë në zonën e Triandrisë dhe në vende të tjera të hetuara, u sekuestruan 43 kilogramë e 254 gramë kanabis sintetik në formë të ngurtë, mbi 6 litra kanabis sintetik në formë të lëngshme, rreth 2 kilogramë kanabis të trajtuar në formë çokollate, 92,2 gram kanabis të papërpunuar dhe 17 tableta narkotike. Gjithashtu, janë sekuestruar 3 pistoleta, gëzhoja, tre kuleta elektronike kriptovalutash, 11 celularë, sende dhe pajisje të laboratorit të prodhimit të drogës sintetike dhe një shumë prej 126.220 euro.

Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të veprimtarisë së paligjshme të organizatës kriminale dhe çdo lidhje me rrjete të tjera të ngjashme, ndërsa të arrestuarit janë referuar për ndjekje penale në prokurorinë kompetente.

 


Shtuar 17.09.2023 11:21