Dasho: Shqipëria 4 herë më shumë vdekje nga COVID-19 se Gjermania

Mjeku i njohur Erion Dasho me anë të një postimi në rrjetet sociale ka bërë një krahasim përsa i përket pandemisë në vendin tonë dhe në Gjermani.

Dasho bën me dije se vdekshmëria në Shqipëri është 4 herë më e lartë.

Sa i takon rasteve aktive për 100 mijë banorë, Dasho thotë se ajo është 7.5 herë më e lartë në Shqipëri në krahasim me Gjermaninë, ndërsa kujton se atje prej kohësh janë duke u zbatuar masa kufizuese të zgjuara.

Gjermania ka disa muaj që lejon vetëm shëtitjet me familjen dhe restorantet i ka mbyllur që në dhjetor, kërkon që në çdo mjedis të mbyllur dhe mjete transporti të mbahet një maskë mjeksore, por jo një maske prej rrobe që ndodh rëndom në Shqipëri.

Postimi i plotë

Gjermania sot ka 140 mijë raste aktive me COVID, ose 167 raste për 100 mijë banorë. Shqipëria me popullsi 30 herë më të vogël se Gjermania, ka 35 mijë raste ose 1,250 raste për 100 mijë banorë.

Me një numër rastesh aktive 7.5 herë më të lartë se Gjermania, Shqipëria feston Ditën e Verës, i ka klubet, restorantet dhe diskotekat plot, kurse Gjermania ka disa muaj që lejon vetëm shëtitjet me familjen dhe restorantet i ka mbyllur që në dhjetor (ama nuk vendos kufizime të pakuptimta si ndalimqarkullimi pas orës 20).

Gjermania kërkon që në çdo mjedis të mbyllur dhe mjete transporti të mbahet një maskë mjeksore, por ama nuk kërkon idiotësira si mbajtja e maskës prej lecke në publik, apo më keq akoma mbajtja e maskës në mjekër sa për të mos marrë gjobë nga polici.

Si rezultat, Gjermania e ka patur vdekshmërinë shtesë deri në 14 shkurt vetëm 77 vdekje ekstra për 100,000 banorë, ndërkohë që Shqipëria deri në fund të shkurtit e ka patur 289 vdekje ekstra për 100,000 banorë, ose rreth 4 herë më të lartë se Gjermania. Koha për përgjegjshmëri!/albeu.com


Shtuar 15.03.2021 09:52

Tags: