DASH sanksionon kompaninë serbe që mbështet Rusinë

Departamenti amerikan i Thesarit i ka sanksionuar të enjten rreth 120 individë dhe kompani për mbështetje të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Në mesin e tyre është sanksionuar edhe një kompani nga Serbia, MCI Trading DOO, me seli në Beograd.

Në njoftimin e autoriteteve amerikane është thënë se kjo kompani i ka ndihmuar kompanisë ruse AK Microtech për të blerë pajisje të teknologjisë së lartë nga prodhues prej Azisë, Evropës dhe Lindjes së Mesme.

Kompania ruse, AK Microtech akuzohet se i ka ofruar Ministrisë ruse të Mbrojtjes, pajisje të teknologjisë së lartë.

Në njoftim është thënë se kjo kompani specializon në transferimin e teknologjisë së huaj te kompanitë ruse për prodhimin e mikroelektronikës.

“Një numër i atyre që i pranojnë këto pajisje janë persona dhe entitete të bllokuara nga Shtetet e Bashkuara”, është thënë në deklaratë, duke shtuar se AK Microtech punon me ndërmjetësues jorusë për t’i dërguar pajisjet te pranuesit rusë.

“Një prej këtyre ndërmjetësuesve është kompania serbe MCI Trading DOO”, është thënë në njoftim.

Aty është përmendur se kompania serbe ka kryer një mori transferesh për kompaninë ruse prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Kompania MCI Trading dhe drejtori i saj Ivan Cvetiq janë shtuar në listën e sanksioneve për, siç është thënë, ndihmë materiale dhe sponsorim apo ofrim të ndihmës financiare apo teknologjike për kompaninë AK Microtech.

Zëvendëssekretari amerikan i Thesarit, Ëally Adeyemo, ka thënë se sanksionet e reja përbëjnë një tjetër hap në përpjekjet e SHBA-së për t’i kufizuar kapacitetet ushtarake të Rusisë./REL


Shtuar 20.07.2023 18:44