COVID-19 përhapet frikshëm në shkollat e Beratit, mbyllen 5 klasa

COVID-19 është duke u përhapur masivisht në qarkun e Beratit, ku shumë raste infektimesh janë regjistruar në shkolla.

Nga dita në ditë, vihet re një numër në rritje i nxënësve të infektuar me Covid-19,ku vetëm gjatë 24-orëve të fundit rezultojnë Covid-pozitiv, 18 nxënës të moshave 14-19 vjeç.

Por Covidi nuk ka lënë pas mësues si dhe drejtorin e shkollës së mesme. Rezultatet e testeve të ardhura pranë ISHP-së Berat bëjnë me dije se, në cdo grup nxënësish prej 40 të testuar 23  prej tyre kanë rezultuar “pozitiv”.

Të njëjtat burime konfirmojnë pranë ISHP-së Berat vijojnë çdo ditë testimet mes nxënësve të shkollave,për shkak të përhapjes së vrullshme të virusit mes klasave.  Situata paraqitet problematike në shkollën 9-vjeçare “22 Tetori” dhe gjimnazin “Babë Dudë Karbunara” në Berat si dhe në shkollën 9-vjeçare “Karaman Ylli” në Skrapar, shkruan faxnews.

Burime pranë Institutit të Higjenës Berat konfirmojnë se janë mbyllur 2 klasa në shkollën “22 Tetori”, 2 klasa në gjimnazin “Babë Dudë Karbunara” dhe 1 klasë në shkollën “Karaman Ylli”, ndërkohë që po vijon edhe hetimi epidemiologjik i rasteve, për të shmangur zinxhirin e infektimeve.

Dyshimet janë se në këto shkolla ka mësues të pavaksinuar, ndërkohë që dhe masat e marra në klasa lënë shumë për të dëshiruar. /albeu.com/


Shtuar 18.11.2021 08:22