Mund t’ia kishte hedhur me një gjobë, por ky shofer në Tiranë zgjodhi tjetër rrugë. Teksa u ndalua nga Policia Rrugore, duke përdorur telefonin gjatë kohës që ishte në timon, ai tentoi me “stil”, të korruptonte efektivët e policisë.
Në një njoftim për mediat, Policia e Tiranës, teksa njofton ndalimin e tij, thekson se veprimi në fjalë “jo vetëm që shkel ligjin, por minon edhe besimin në institucionet tona. Jemi të ndërgjegjshëm dhe zgjedhim rrugën e drejtësisë dhe të integritetit”.
“Respektimi i ligjit dhe integriteti janë elemente thelbësore për një shoqëri! Së fundi, në rrugën “Asim Vokshi”, Tiranë, efektivët e Policisë Rrugore kanë ndaluar një shtetas i cili gjatë drejtimit të automjetit, po përdorte aparatin celular dhe me qëllim shmangien e ndëshkimit ligjor, ka tentuar të korruptojë punonjësin e Policisë, duke i ofruar një shumë parash. Ky veprim jo vetëm që shkel ligjin, por minon edhe besimin në institucionet tona. Jemi të ndërgjegjshëm dhe zgjedhim rrugën e drejtësisë dhe të integritetit”, thuhet në reagimin e policisë.