Buxheti 2022, Xhafaj: Kanë kaluar më shumë se dy vite nga krijimi i SPAK, e papranueshme të flitet për mungesë zyrash

Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, aktualisht deputet i PS-, gjatë ditës së sotme ka mbajtur fjalën në Kuvend, ku po shqyrtohet buxheti i 2022.

Xhafaj u shpreh se është lajm i mirë projektbuxheti për SPAK dhe BKH, por kërkoi nga ta të jepnin më shumë rezultate.

Gjithashtu Xhafaj tha se, është e papranueshme që kur ka kaluar më shumë se 2 vite nga krijimi i SPAK sot flitet ende për mungesë zyrash.

“Projekt-ligji i buxhetit është kompetencë ekskluzive e qeverisë por vendimmarrja e Kuvendit duhet të jetë kryesore për përfshirjen në debat dhe jo në sherrnaja të politikës. Në finale të ardhurat e buxhetit janë kontribut i taksave të qytetarëve ndaj duhet konsultuar me ta. Ky proces vijon të bëhet në një rreth të mbyllur pa një përfshirje të gjerë të ekspertëve ndaj nuk e kemi kulturën e taksave. Përsëri informalitetit është shqetësues. Masa klienteliste dhe favorizuese për biznese të caktuara.

Padyshim shqetësimi kryesor i qeverisë duhet të mbetet nevoja për masa të të forta për sigurimin e të ardhurave, duhen ndaluar çdo masë që prek sektorin publik, qofshin këto PPP apo koncensione. Duhet të ngrihen strukturat speciale që vlerësojnë koncesionet dhe prokurimet publike. Çdo masë pozitive do të rriste ndjeshëm konkurrencën dhe do të siguronte më shumë cilësi në përmbushjen e detyrave kontraktuale. Projektbuxheti për SPAK dhe BKH është lajm I mirë, të shpresojmë që të kemi rezultate më të mira. Dua të theksoj se buxheti për drejtësinë nuk mund të jetë i njëjtë me institucione të tjera. E papranueshme që kur ka kaluar më shumë se 2 vite nga krijimi i SPAK sot flitet ende për mungesë zyrash.

Nuk ka pasur asnjë angazhim për mbështetjen e shkollës së magjistraturës, për numrin e ulët të studentëve, përgjigja e marrë është që do të rishikohet më tej. Nuk e kuptoj dot sesi për 30 oficerë të policisë gjyqësore u duhet të presin 3 vite. Kjo është një qasje e papranueshme. Përgjegjshmëria e institucionit në administrimin e tij, duhet të ndryshojë politikëbërja e tyre me anë të mekanizmit 3 palësh: qeveri-kuvend-drejtësi.

Prokurorët dhe të tjerët duhet ta kuptojnë më mirë rëndësinë e pozicionit dhe përgjegjësinë që kanë ndaj qytetarëve të këtij vendi.

Janë njerëzit më të paguar në këtë vend. Nuk janë dhuratë e askujt, janë para dhe investime nga taksat e qytetarëve të këtij vendi me shpresën për më shumë përgjegjshmëri dhe transparencë në luftën kundër krimit. Besimi dhe mbështetjen e keni dhe tani është koha të justifikoni besimin që keni marrë nga qytetarët. Kjo është koha për të rikthyer drejtësinë”, tha Xhafaj./albeu.com


Shtuar 16.11.2021 10:14