Bushati debaton me Vokshin: Ratë në kurthin e Ilir Beqajt!

Kryetarja e komisionit parlamentar për koncesionet në shëndetësi, Albana Vokshi, ka qenë e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku replikoi me analistin Andi Bushati lidhur me punën e komisionit dhe faktin që ish ministri Ilir Beqja nuk u lejua të dëshmonte.

Bushati tha se opozita ra në “kurthin” e socialistëve dhe humbi mundësinë për të marrë dëshminë e Beqajt, duke mos i lejuar atij prezantimin me Power Point. Analisti shtoi se interesi publik dhe interesi i opozitës do të ishte dëgjimi i dëshmisë së Beqajt, siç ndodhi me komisionin hetimor për inceneratorët, ku përgjigjet e Veliajt, Ahmetajt dhe Ramës ishin të vlefshme për të kuptuar jo vetëm inceneratorët por edhe funksionimin e qeverisë.

Debati:

Andi Bushati: E para e punës, unë e kuptoj logjikën që Beqja nuk pse del mbi ligjin, por prapë, unë që jam kritik dhe i shoh me dyshim koncesionet, do të doja ti dëgjoja përgjigjet e tij. Sot mos do të ishte më mirë t’i kishim përgjigjet e Beqjes, se u duk sikur ju ratë në kurth. Nëse për komisionin e inceneratorëve, përdorim përgjigjet e Veliajt, Ahmetajt, Ramës, mos Beqja fitoi duke e penguar ju të mos dëshmojë?

Albana Vokshi: Unë gjykoj që nëse e keni ndjekur, si opozitë i jemi lutur të administrojmë prezantimin edhe si provë. Kemi kërkuar që nëse e kanë të shkruar e administrojmë si provë. Këtë prezantim me 240 slides, pavarësisht se ligji nuk e lejon. Nuk e la PS ditën e parë të dëshmonte.

Andi Bushati: Ditën e parë do të ekspozonte Power Point dhe ditën e dytë ai do të pyetej.

Albana Vokshi: Ditën e dytë, Ilir Beqaj, që nuk është as në situatë të barabartë, është futur me disa korniza druri dhe atë që kishte në Power Point e kishte përkthyer në foto. A e dini se mua si deputete nuk më lejohet të fus asgjë brenda?

Andi Bushati: U mbyll komisioni pa u pyetur Beqajn.

Albana Vokshi: Puna është bërë, ju siguroj. Bushati është ndër të vetmit që i ka analizat të sakta. Por, ai nuk donte t’i përgjigjej pyetjeve.

Andi Bushati: Truku i tij ju mori me vete. Nëse qëllim ishte të mos përgjigjej, ai e arriti qëllimin.

Albana Vokshi: Qëllimi ynë ishte të vinte Rama dhe Vilma Nushi, administratorët dhe Ilir Beqja. Ne pritëm.

Andi Bushati: Nëse e dinit që ai nuk përgjigjej, nuk duhet ta thërrisnit fare.
Beqja nuk u përgjigj. Ju thatë se një nga sukseset e komisionit është që publiku e mori vesh që Ramës i djeg miza dhe prandaj nuk vjen dhe suksesi tjetër, mbron edhe Vilma Nushin dhe këtë publiku e kuptoi. Po ne këtë e dinim para se të ngrihej komisioni, u dogj parlamenti sepse Rama nuk donte të ngrinte komisionet. E njëjta gjë për udhëtimet me charter. Pra ne këtë e dinim. Nuk mund të quash sukses një gjë që dihej para se komisioni të fillonte.

Albana Vokshi: Tani u vërtetua.


Shtuar 14.11.2024 23:43