Prej ditës së djeshme, vijon puna për shuarjen e një vatre zjarri në Njësinë Administrative Ulëz, në fshatin Lundër, zonë që bën pjesë në Ekonominë Pyjore Ulëz–Shkopet.
Zjarri është shfaqur më 8 korrik 2026, rreth orës 14:00. Menjëherë pas konstatimit të tij, Bashkia Mat ka marrë të gjitha masat për ndërhyrje, pavarësisht se vatra ndodhet në një zonë të thellë malore me terren shumë të vështirë, ç`ka e ka bërë të pamundur ndërhyrjen direkte të mjeteve zjarrfikëse.
Të lidhura
None found
Gjatë ditës së djeshme u arrit izolimi i vatrës së zjarrit, e cila kishte marrë një shtrirje prej rreth 1 kilometri. Aktualisht, forcat në terren po punojnë për shuarjen e plotë të flakëve dhe eliminimin e çdo rreziku për riaktivizim.
Në operacion janë angazhuar punonjës të Shërbimit Pyjor, të Shërbimit Zjarrfikës dhe të Njësisë Administrative Ulëz. Në terren ndodhen gjithashtu efektivët e zjarrfikëses së Bashkisë Mat, si dhe 15 punonjës të shërbimit pyjor.
Zona e prekur përbëhet kryesisht nga pyje dushku dhe shkurre të llojeve bush, shqopë dhe dëllinjë. Deri më tani nuk raportohet për rrezik ndaj banesave, ndërsa operacioni për shuarjen e plotë të zjarrit vijon.
