Presidenti i Algjerisë, Abdelmadjid Tebboune, ka kërkuar rikthimin e dënimit kapital për personat që ndezin zjarre, pasi këtë vit flakët kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 12 njerëzve.
Të lidhura
None found
Me një urdhër drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, ai kërkoi ndryshimin e ligjit penal për të parashikuar dënimin me vdekje për zjarrvënësit, raporton BBC.
Gjatë deklaratave të bëra të shtunën, presidenti tha se do të zhvilloheshin hetimet e nevojshme, duke marrë parasysh përmasat dhe intensitetin e zjarreve.
Një ditë më pas, Temboun caktoi 15 shtatorin si afat për miratimin e amendamenteve që do të përfshinin dënimin me vdekje për ndezjen e qëllimshme të zjarreve në zonat pyjore.
Legjislacioni aktual parashikon deri në 30 vjet burg për zjarrvënien e qëllimshme në pyje, ndërsa në rrethana të caktuara dënimi mund të jetë edhe burgimi i përjetshëm.
Edhe pse dënimi me vdekje vijon të jetë zyrtarisht pjesë e kodit penal algjerian për disa vepra penale, ekzekutimet nuk janë kryer që nga viti 1993.
Vetëm gjatë ditëve të fundit, në verilindje të Algjerisë, pranë bregdetit të Mesdheut, janë raportuar më shumë se 100 zjarre pyjore. Pjesa më e madhe e tyre është shuar, por flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe kanë lënë dhjetëra persona të plagosur.
