Katër persona mbetën të lënduar të hënën në mëngjes në lagjen Brickell të Miamit, pasi një vinç ndërtimi u shemb papritur, goditi një automjet dhe shkaktoi një zjarr. Operatori arriti të largohej nga kabina pak çaste para rrëzimit, duke shpëtuar në momentin e fundit.
Rrethanat e incidentit nuk janë bërë ende të qarta. Struktura metalike ra mbi një makinë të bardhë që po qarkullonte në një rrugë pranë kantierit.
Të lidhura
None found
Sipas shefit të zjarrfikësve të Miamit, Robert Hevia, drejtuesja e automjetit e kuptoi se vinçi po binte dhe arriti të tërhiqej pak përpara se ai të përplasej mbi makinën e saj.
Shoferja mori lëndime të lehta dhe u dërgua në një spital aty pranë për të marrë ndihmë mjekësore.
Gjatë rënies, vinçi goditi edhe një kontejner të madh metalik që përdorej për magazinim. Brenda tij ndodheshin dy punëtorë, të cilët mbetën të bllokuar.
Për nxjerrjen e tyre u zhvillua një ndërhyrje e vështirë. Një zjarrfikës preu metalin e kontejnerit për të hapur një dalje, ndërsa një tjetër u mor me fikjen e zjarrit të nisur pas përplasjes.
Dy punëtorët u nxorën nga kontejneri dhe, bashkë me operatorin e vinçit, u transportuan në spital me dëmtime të lehta.
Videot nga vendngjarja tregojnë operatorin teksa hidhet nga kabina dhe largohet nga makina e vinçit pak para shembjes së strukturës.
Ndërkohë, ekipet e zjarrfikësve vepruan menjëherë për të shuar flakët dhe për të garantuar sigurinë e zonës, ndërsa grupet e shpëtimit punuan për lirimin e personave të bllokuar.
