Transportuan drogën nga Ekuadori, sekuestrohen 148 kg kokainë në portin italian, 3 shqiptarë në pranga

148 kg kokainë janë sekuestruar në Portin e Livornos në Itali, ndërsa 3 shqiptarë kanë rënë në pranga. Droga që mbërriti nga porti i Guayaquil i Ekuadorit ishte fshehur në një ngarkesë me banane dhe si destinacion kishte Zvicrën.

Autoritetet italiane vepruan në bazë të sinjalizimeve të ndara me Agjencinë Doganore. Me një skaner u identifikuan 139 pako brenda kontejnerit, ndërsa më pas oficerët u pozicionuan dhe pritën disa orë për të kapur këdo që vinte për të marrë kokainën.

Korrierët nuk i kanë bërë rezistencë policisë dhe janë arrestuar. Ata nuk janë banorë të Italisë, nuk kishin dokumente ndaj dhe ishte e vështirë për t’i identifikuar.

Autorët do të kishin marrë një dëmshpërblim prej disa mijëra eurosh nëse grumbullimi i ngarkesës do të ishte i suksesshëm, shkruan Corriere della Sera.

Sipas autoriteteve ky është sekuestrimi më i madh i kokainës vitet e fundit në portin detar.


Shtuar 12.08.2024 18:45