Thimjo Rubati, 50-vjeçari që u plagos me armë zjarri në Sarandë, pritet të dërgohet në Janinë për trajtim të specializuar, pasi gjendja e tij shëndetësore është rënduar.
Pas atentatit, autorët dyshohet se u larguan me motor dhe humbën gjurmët në zonën e “Baba Rexhepit”, pranë varrezave të qytetit. Policia po vijon kërkimet për të zbuluar identitetin e tyre dhe për t’i vënë në pranga.
Të lidhura
None found
Nga të dhënat për të kaluarën e Rubatit rezulton se ai ishte liruar gjatë viteve të fundit nga një burg në Greqi, ku ishte akuzuar për një ngjarje të rëndë penale.
Në periudhën kur vuante dënimin në shtetin grek, 50-vjeçari kërkohej njëkohësisht edhe nga autoritetet shqiptare për një çështje ku përfshiheshin disa doganierë. Dosja lidhej me një skemë të dyshuar trafikimi dhe kontrabandimi automjetesh.
Për këtë çështje, Gjykata e Apelit e dënoi Rubatin me një masë alternative, çka bëri që ai të shmangte qëndrimin në qeli. Si rrjedhojë, pasi përfundoi periudhën e burgimit në Greqi, ai nuk vuajti dënim me burg në Shqipëri.
Grupi hetimor po punon për të përcaktuar motivin e sulmit, ndërsa hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve mbeten në vazhdim.
