Pas mbytjes së një trageti pasagjerësh pranë Kyrenias, në Qipro, të mbijetuarit kanë përshkruar çastet e panikut në bord dhe kanë ngritur akuza serioze ndaj ekuipazhit.
Të lidhura
None found
Bilanci i deritanishëm flet për 8 viktima, ndërsa dhjetëra persona vijojnë të konsiderohen të zhdukur. Në traget ndodheshin rreth 267 njerëz, ndërsa qindra pasagjerë të tjerë janë nxjerrë të sigurt.
Ibrahim Kanbolat, një prej të mbijetuarve, ka treguar se situata u përshkallëzua brenda pak çastesh, kur uji nisi të hynte në mjetin lundrues.
Ai ka deklaruar se pasagjerët, pasi vunë re problemin, lajmëruan ekuipazhin, por përgjigjja që morën ishte se një gjë e tillë ishte “normale” dhe se anëtarët e stafit ishin mësuar me situata të tilla.
Sipas Kanbolat, uji filloi të përhapej në mënyrë të pakontrolluar, ndërsa më pas një pjesë e anës së tragetit pësoi dëmtime.
“Anija filloi menjëherë të anohej”, ka rrëfyer i mbijetuari. Ai tha se një anëtar i ekuipazhit shkoi drejt pjesës së pasme dhe u kërkoi pasagjerëve të zhvendoseshin atje, por nuk u shpërndanë jelekë shpëtimi. “Secili shpëtoi me forcat e veta”, është shprehur ai.
Rreziku ishte edhe më i madh pasi mes pasagjerëve kishte fëmijë dhe persona që nuk dinin të notonin.
Kanbolat ka pohuar se anëtarët e ekuipazhit ishin me origjinë pakistaneze dhe se komunikimi mes tyre dhe pasagjerëve ishte i vështirë.
“Xhamat ishin thyer dhe anija po anohej. Edhe tani nuk e dimë saktësisht se çfarë ndodhi. Jemi në gjendje shoku”, ka deklaruar ai.
I mbijetuari ka treguar se në fund u nxor nga një mjet privat. Ndërkohë, hetimet po vijojnë për të përcaktuar shkakun e mbytjes dhe për të sqaruar nëse masat e sigurisë kishin mangësi.
Familjarët e viktimave dhe të personave të zhdukur janë mbledhur në portin e Kyrenias, ku presin informacione për të afërmit e tyre. Pamjet nga vendi pasqyrojnë momente të dhimbshme, me familjarë që qajnë dhe kërkojnë të mësojnë fatin e njerëzve të tyre.
Operacioni i kërkim-shpëtimit vazhdon, ndërsa autoritetet po përpiqen të gjejnë personat e zhdukur dhe të zbardhin plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie.
