Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e sotme në Carpentras, në jug të Francës, ku dy fëmijë të moshës 2 dhe 4 vjeç u gjetën pa jetë brenda makinës së familjes së tyre, në një moment kur vendi është përfshirë nga një valë e fortë të nxehti.
Fëmijët u konstatuan rreth orës 13:10 në automjetin e parkuar pranë banesës, pasi nëna e tyre ishte kthyer nga pazari. Ekipet e emergjencës ndërhynë dhe tentuan t’i rikthenin në jetë, por pa sukses, pasi të dy kishin ndërruar jetë.
Të lidhura
None found
Prokurorja e Carpentras, Helene Mourez, bëri të ditur se ende nuk janë përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes, megjithatë mbetet dyshimi se temperaturat e larta mund të kenë pasur një rol përcaktues në këtë tragjedi.
Sipas raportimeve të mediave lokale, ende nuk është sqaruar se në ç’mënyrë fëmijët përfunduan në makinë dhe për sa kohë qëndruan aty. Hetimet e para tregojnë se ata mund të kenë hyrë në automjet pa dijeninë e nënës së tyre 33-vjeçare.
Kjo ngjarje vjen teksa Franca po kalon një nga valët më të ashpra të të nxehtit të regjistruara ndonjëherë. Autoritetet kanë vendosur 49 departamente në nivelin maksimal të alarmit për temperaturat ekstreme, ndërsa më shumë se 90% e popullsisë pritet të ndikohet nga këto kushte atmosferike.
