Në përvjetorin e parë të mastektomisë, Jessie J ka përcjellë për ndjekësit e saj një mesazh prekës, pas operacionit që kreu pasi u diagnostikua me kancer të gjirit në vitin 2025.
Në Instagram, këngëtarja 38-vjeçare publikoi një video të regjistruar gjatë periudhës së rikuperimit pas ndërhyrjes kirurgjikale, ku ndau reflektime për përballjen me sëmundjen dhe theksoi rëndësinë që kanë kontrollet e rregullta shëndetësore.
Të lidhura
None found
Vitin e kaluar, Jessie J kishte bërë me dije se kanceri i gjirit ishte identifikuar herët, duke i hapur rrugë nisjes së menjëhershme të trajtimit. Në kuadër të këtij procesi, ajo iu nënshtrua një mastektomie në anën e djathtë.
Vetëm një muaj pasi njoftoi publikisht se tashmë është “pa kancer”, artistja vendosi të ndajë me fansat një kujtim nga një nga periudhat më të vështira të jetës së saj.
“Kontrolloni gjinjtë dhe sqetullat, njerëz. Mund t’ju shpëtojë jetën”, shkroi ajo në përshkrimin që shoqëronte videon e publikuar në rrjetet sociale.
Me humorin që e karakterizon, këngëtarja theksoi se edhe në një moment kaq të rëndë, pamja e saj nuk e linte të kuptohej plotësisht gjendja që po kalonte.
“Kam bërë një mastektomi në anën e djathtë dhe është e çmendur se sa shumë nuk dukesha sikur isha në një situatë kaq të keqe. Koha për të shkëlqyer. 12 qershori 2025 më ndryshoi përgjithmonë”, shkroi ajo.
Jessie J shprehu edhe falënderim të veçantë për mjekun që e shoqëroi gjatë trajtimit.
“Faleminderit Dr. Gui. Je një hero për mua përgjithmonë”, përfundoi Jessie J në mesazhin e saj.
Dëshmia e artistes është pritur me mijëra reagime mbështetëse nga fansat dhe kolegët, ndërsa thirrja e saj për diagnostikim të hershëm dhe kontrolle periodike është vlerësuar si një mesazh i rëndësishëm ndërgjegjësues në luftën kundër kancerit të gjirit.
