Tetë deputetë të Spanjës do të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës

Përfaqësuesit e partive spanjolle Partia Socialiste e Punëtorëve (PSOE) dhe Partia Popullore (PP) janë shprehur se do të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës. Pesë parlamentarët socialistë ashtu edhe të tre nga Partia Popullore do të refuzojnë pranimin e Kosovës, pavarësinë e së cilës Spanja ende nuk e ka njohur deri më sot, pavarësisht faktit se ajo ndodhi në vitin 2008, shkruan agjencia e lajmeve spanjolle “Europa Press”.

“Do të votojmë kundër sepse vazhdojmë të mbajmë të njëjtat kritere” sa i përket Kosovës, i kanë thënë agjencisë spanjolle burime të PSOE, të cilët konsiderojnë se tani nuk është koha për hyrjen e Kosovës, pasi mund të hapë hapësira për konfrontime.

Nuk ka asnjë ndryshim edhe për sa i përket qëndrimit që PP-ja ka mbrojtur që nga ngjarjet e vitit 2008 dhe që ky qëndrim u mbajt edhe gjatë qeverisë së Mariano Rajoy për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, duke konfirmuar se do të votojnë kundër dhe duke thënë se “nuk është precedent i mirë” që “ky territor të jetë përfundimisht anëtar i Këshillit të Europës”.

Asambleja Parlamentare do të mbajë një debat të martën në të cilin duhet të vendosë nëse do t’ia referojë vendimin për anëtarësimin e Kosovës Komitetit të Ministrave, organi më i lartë i organizatës, përpara takimit të tij në mes të majit në Rejkjavík. Pikërisht, ishte ky institucion që një vit më parë i kishte kërkuar APKE-së të vendoste për këtë çështje pasi Kosova e paraqiti zyrtarisht kërkesën për anëtarësim më 12 maj.

“Europa Press” shkruan se kërkesa e Kosovës nuk duhet të ketë asnjë problem për të kaluar procedurën në Asamblenë Parlamentare, pavarësisht refuzimit të tetë përfaqësuesve të PSOE dhe PP së Spanjës, e cila ka gjithsej dymbëdhjetë deputetë në PACE. Ekziston një shumicë e madhe, vendet e së cilës e njohin Kosovën dhe do të votojnë pro.

Burime diplomatike sqarojnë se qeveria spanjolle “mban qëndrimin e saj të mosnjohjes”, duke lënë të kuptohet se kur të vijë koha, ministri i Jashtëm, José Manuel Albares, do të votojë kundër. Megjithatë, edhe pse dymbëdhjetë nga 46 anëtarët nuk e njohin Kosovën, jo të gjithë votuan kundër dërgimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në PACE vitin e kaluar. Kështu, Spanja, si Serbia, Azerbajxhani, Qiproja, Gjeorgjia dhe Rumania, votuan kundër, ndërsa Greqia, Sllovakia, Ukraina, Moldavia dhe Bosnja abstenuan. Armenia nuk mori pjesë në këtë votim ndërsa Hungaria, e cila e njeh, votoi kundër.

Debati i së martës së ardhshme zhvillohet pasi më 27 mars Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci të APKE-së rekomandoi hyrjen e Kosovës si anëtare e Këshillit të Europës në bazë të raportit të përgatitur nga deputetja greke Dora Bakojanis (EPP).


Shtuar 13.04.2024 20:21

Tags: , ,