Bilanci i jetëve të humbura nga tërmetet në Venezuelë ka arritur në 589, ndërsa 2,980 persona janë plagosur, bëri të ditur presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez.
Teksa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë punën për të nxjerrë njerëz të bllokuar nën rrënoja brenda “dritares së artë” deri në 72 orë pas goditjes sizmike, autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave pritet të rritet ndjeshëm me zbulimin e trupave të tjerë.
Të lidhura
None found
“Po vazhdojmë pa pushim përpjekjet tona për të shpëtuar jetë”, deklaroi Rodríguez për transmetuesin shtetëror të Venezuelës, ndërsa vlerësoi edhe mbërritjen e ndihmës ndërkombëtare dhe të ekipeve të emergjencës.
“Kemi shpëtuar dhjetëra jetë”, u shpreh presidentja.
La Huira dhe Morón rezultojnë zonat më të goditura, ku banorët së bashku me ekipet e shpëtimit po kërkojnë të mbijetuar mes rrënojave. Për shkak të mungesës së makinerive të rënda, në shumë raste gërmimet po bëhen me duar. Nga rrënojat po nxirren si të plagosur, ashtu edhe viktima.
Ministri i Shëndetësisë, Carlos Alvarado, konfirmoi se shifra zyrtare e viktimave ka shkuar në 235, por pranoi se shumë persona vazhdojnë të jenë të zhdukur. Sipas modeleve të Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), ekziston frika që numri i viktimave të mund të kalojë 10 mijë, në varësi të zhvillimeve në zonat ku ekipet ende nuk kanë mbërritur.
Pasojat e katastrofës kanë prekur edhe shtetas të huaj. Brazili konfirmoi vdekjen e dy qytetarëve të tij, ndërsa Italia njoftoi se një shtetas italo-venezuelian humbi jetën nga shembja e një ndërtese. Edhe Kina raportoi humbjen e dy shtetasve të saj.
Spitalet në rajonet e goditura janë tejmbushur me të plagosur dhe po përballen me mungesa të mëdha ilaçesh, pajisjesh mjekësore dhe materialesh bazë. Në disa raste, për shkak të mungesës së hapësirave, pacientët po marrin trajtim në oborret e spitaleve.
Banorët kanë bërë thirrje urgjente për më shumë ndihmë dhe pajisje shpëtimi, duke denoncuar mungesë koordinimi dhe vonesa në reagim. Mijëra njerëz kanë mbetur pa strehim, pa ujë të pijshëm dhe pa ushqime, ndërsa në disa zona janë raportuar edhe episode plaçkitjesh.
Qeveria e Venezuelës ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe njoftoi se ndihma ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara, Spanja, Meksika dhe Katari është nisur drejt vendit. Po ashtu, SHBA ka miratuar një paketë ndihme prej 150 milionë dollarësh dhe ka vendosur mjete ushtarake për të mbështetur operacionet e kërkim-shpëtimit.
Ndërkaq, lëkundjet pasuese vazhdojnë të përhapin panik te popullsia dhe të vështirësojnë punën e ekipeve të emergjencës. Autoritetet paralajmërojnë se operacionet e shpëtimit mund të zgjasin për ditë, madje edhe javë, ndërsa përmasat reale të tragjedisë mbeten ende të paqarta.
