Temperaturat ekstreme dhe mungesa e reshjeve kanë krijuar në shumë vende evropiane një terren tepër të favorshëm për përhapjen e flakëve, duke e përballur kontinentin me një nga sezonet më të vështira të zjarreve.
Të lidhura
None found
Ekspertët shpjegojnë se vapa e ka tharë bimësinë deri në atë pikë sa ajo është shndërruar në një “kuti baruti”, ku mjafton edhe një shkëndijë e vogël për të ndezur zjarre të përmasave të mëdha. Në rëndimin e situatës ka ndikuar gjithashtu dimri me reshje, i cili nxiti zhvillimin e bimësisë së re dhe, rrjedhimisht, shtoi materialin e djegshëm.
Shifrat e Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS) dëshmojnë se sipërfaqja e përfshirë nga flakët këtë vit është më e madhe se mesatarja e regjistruar në të njëjtën periudhë gjatë viteve të mëparshme. Sidoqoftë, deri më 22 korrik, territori i djegur në të gjithë kontinentin rezulton pak më i vogël krahasuar me vitin 2025, që cilësohet si viti më i rëndë i dokumentuar ndonjëherë për zjarret.
Franca po përjeton gjendjen më shqetësuese. Që prej fillimit të vitit, në këtë vend janë shënuar mbi 300 zjarre, një numër më shumë se tri herë më i lartë se mesatarja vjetore prej 93 zjarresh.
Përkeqësimi i këtij fenomeni lidhet nga ekspertët me krizën klimatike, e cila po shkakton rritje të temperaturave dhe zgjatje të periudhave pa reshje. Si pasojë, lagështia në tokë dhe në bimësi bie ndjeshëm, duke krijuar mundësi që flakët të avancojnë me ritëm të shpejtë.
Shërbimi meteorologjik francez Météo-France raporton se lagështia e tokës në Francë ka zbritur në nivelin më të ulët të matur ndonjëherë për këtë periudhë të vitit, çka e shton më tej rrezikshmërinë e sezonit të zjarreve.
