Temperatura ekstreme deri në 49.7 gradë celsius, Irani mbyll dyqanet dhe institucionet publike

Një valë e nxehtë që ka kapluar Iranin ka detyruar autoritetet të shkurtojnë orët e punës në objekte të ndryshme dhe të urdhërojnë të gjitha institucionet qeveritare dhe tregtare të mbyllen, pasi spitalet morën më shumë se 200 njerëz për trajtimin nga nxehtësia.

Temperaturat varionin nga 37 gradë Celsius në 42 gradë Celsius në kryeqytetin, Teheran, sipas raporteve të motit.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Republikës Islamike (IRNA) tha se bankat, zyrat dhe institucionet publike në të gjithë vendin do të mbyllen për të mbrojtur shëndetin e njerëzve dhe për të ruajtur energjinë dhe se vetëm shërbimet e urgjencës dhe agjencitë mjekësore do të përjashtohen.

Babak Yektaparast, një zëdhënës i departamentit të urgjencës të vendit, tha se 225 njerëz kishin kërkuar ndihmë mjekësore dhe disa ishin pranuar në spital, shkruan the Guardian.

Sadegh Ziaian, një zyrtar në Organizatën Kombëtare Meteorologjike, tha se temperaturat tejkaluan 45 gradë Celsius në 10 provinca iraniane, me temperaturën më të lartë prej 49.7 gradë Celsius të regjistruar në Delgan, qytetin juglindor në provincën Sistan dhe Balochistan, e cila kufizohet me Pakistanin dhe Afganistanin.

Ai tha se një rënie e temperaturës pritet të hënën, por paralajmëroi se “kjo nuk do të thotë se ajri do të ftohet”.

Gjithashtu, mediat kanë këshilluar njerëzit të qëndrojnë brenda deri në orën 17:00 me orën lokale.

Ndryshe, valët e të nxehtit po bëhen më të rënda dhe të zgjatura për shkak të krizës globale klimatike, e cila është shkaktuar kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse fosile.


Shtuar 27.07.2024 22:43