Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka deklaruar se partia gjermane e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), po mbështet idenë e ndarjes së Tirolit të Jugut nga territori italian.
Të lidhura
None found
“Bëhet fjalë për një ngjarje shumë serioze dhe do të kërkojmë shpjegime se si mund të ketë ndodhur kjo brenda parlamentit gjerman”, u shpreh Tajani në një intervistë për “Corriere della Sera”.
Ai shtoi se zhvillimi konfirmon edhe një herë karakterin anti-italian të AfD-së. “Nacionalistëve vendas u them se AfD është një parti anti-italiane dhe armiku më i keq i vendit tonë”, deklaroi kreu i diplomacisë italiane.
Reagimi i Tajanit lidhet me një konferencë që AfD pritet të zhvillojë nesër në zyrat e Bundestagut, parlamentit gjerman. Aktiviteti organizohet në kuadër të 80-vjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes italo-austriake për Tirolin e Jugut.
Rajoni, i cili në italisht njihet si Alto Adige, është pjesë e Italisë dhe gëzon statusin e një rajoni autonom. Sipas shtypit italian, në posterin e konferencës ai paraqitet si një shtet më vete dhe i pavarur.
“Posteri i konferencës e bënte të qartë këtë: Tiroli i Jugut paraqitej si një shtet i veçantë dhe i pavarur”, tha Tajani.
Eurodeputeti i AfD-së, Mark Jongen, e hodhi poshtë këtë interpretim. “Nuk ekziston një çështje e tillë, është një budallallëk. Në fund të fundit, flasim për një rajon që i përkiste Austrisë dhe jo Gjermanisë”, komentoi ai.
Ndërkohë, eurodeputetët e Forza Italia, partia që drejtohet nga Tajani, kanë bërë të ditur se do t’i kërkojnë Komisionit Evropian të shprehet për këtë çështje.
