“Sot ose kurrë”, Real Madrid ultimatum Parisit për Mbappe

Realit të Madridit duket se i ka humbur durimi me PSG-në në lidhje me transferimin e Mbappe.

Skuadra spanjolle ka vendosur një kufij kohor, ku i ka bërë të qartë Parisit se nëse marrëveshja nuk arrihet këtë fundjavë, nuk do të arrihet kurrë.

Në Paris prej dy ditësh ka mbërritur një ofertë prej 180 milionë eurove, pasi 160 milionët e parë u refuzuan.

Dje Leonardo la të kuptonte se do më shumë për Mbappe, kur u shpreh se situata është e njëjtë, siç u shpjegua në intervistën për mediet disa ditë më parë. Ata presin një ofertë edhe më të lartë, por në Madrid lëvizin ndryshe.

Le Parisien bën me dije se Leonardos dhe Al Khelaifit i është bërë e qartë se nëse marrëveshja për Mbappe nuk mbyllet deri nesër, atëherë nuk ndodhë më.

Të hënën Mbappe shkon në grumbullim me Francën dhe e bën më të vështirë kalimin e mundshëm në Madrid kur kanë mbetur edhe 3 ditë nga fundi i merkatos. Gjithsesi, trajneri Deschamps ka treguar se do ishte i gatshëm ta lironte Mbappe në rast se do firmosë me Realin./albeu.com


Shtuar 28.08.2021 14:08