Gjatë natës u regjistruan disa vatra zjarri në Qarkun e Shkodrës, konkretisht në zonat e Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Vaut të Dejës.
Të lidhura
None found
Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse bëri të mundur që flakët në këto zona të viheshin nën kontroll brenda pak orësh.
Në Vaun e Dejës, operacioni vazhdon ende. Rreth 30 efektivë zjarrfikës punuan pa ndërprerje gjatë gjithë natës, ndërsa në mbështetje të MZSH Vau Dejës u angazhuan ekipet e MZSH Shkodër, Pukë dhe Fushë-Arrëz. Operacionit iu bashkuan gjithashtu efektivë dhe një mjet zjarrfikës i Forcave të Armatosura.
Falë ndërhyrjes u arrit izolimi i zjarrit, u evitua rreziku ndaj banesave dhe u sigurua mbrojtja e trasesë së linjës së transmetimit.
Në Vaun e Dejës aktualisht vijon të jetë aktive vetëm një vatër, ndërsa forcat në terren po punojnë për shuarjen e plotë të saj.
Koordinimi ndërmjet forcave operacionale vendore dhe atyre qendrore është vijuar nga Prefektura e Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me AKMC-në.
Prefektja e Shkodrës, Holta Duda, shprehu mirënjohje për efektivët zjarrfikës, Forcat e Armatosura, strukturat e Emergjencave Civile, shërbimin pyjor, Policinë dhe banorët vullnetarë që u përfshinë në operacion.
