SHBA, senatorët marrëveshje për projektligjin dypartiak për infrastrukturën

Në Senatin e Shteteve të Bashkuara, negociatorët kanë arritur një marrëveshje për paketën ligjore prej 1.2 trilionë dollarësh për infrastrukturën. Senatori republikan Rob Portman u tha gazetarëve të mërkurën se është rënë dakort për komponentët kryesorë të projektligjit.

Pas muajsh të tërë bisedimesh, kjo mund të hapë tashmë rrugën që legjislacioni të vazhdojë procesin e shqyrtimit në Senat. Madje kreu i shumicës, Senatori Chuck Schumer, tha se një votim procedurial për këtë projektligj dypartiak mund të zhvillohet që të mërkurën.

“Senatorët vazhdojnë të arrijnë progres”, tha Senatori demokrat Schumer në një fjalim në sallën e Senatit.

Senatorja republikane Susan Collins, megjithatë, paralajmëroi se disa detaje ishin ende duke u finalizuar.

Një tjetër senatore republikane, Lisa Murkowski, u tha gazetarëve se, “Unë mendoj se ekziston një vullnet i konsiderueshëm nga të dy kahët politikë që duan të arrijnë tek një paketë për infrastrukturën”.

Ajo shtoi se senatorët do të informohen për propozimin që po negociohet “gjatë orëve të ardhshme”.

Votimi procedurial thjesht do të kufizonte debatin kur Senati të fillojë të marrë në konsideratë projekt-ligjin dypartiak për investime në infrastrukturë që mendohet të jetë në shumën e rreth 1.2 trilionë dollarëve.

Më 21 korrik, republikanët e bllokuan një veprim të tillë, duke u ankuar se projekt-ligji nuk ishte shkruar ende.

Demokratët shpresojnë të kalojnë këtë muaj, ose në fillim të muajit tjetër, projektligjin për të cilin do të jetë rënë dakord në negociatat dypartiake.

Kjo mund të ndihmojë në eliminimin e pengesave për demokratët, të cilët duan të fillojnë punën për një tjetër projektligj me një buxhet prej rreth 3.5 trilionë dollarësh, të cilin republikanët zotohen se do ta kundërshtojnë./VOA/


Shtuar 28.07.2021 23:48