Një javë pas takimit të NATO-s në Uashington, një tjetër mbledhje e rëndësishme e udhëheqësve europianë zhvillohet në Britaninë e Madhe. Samiti I Bashkësisë Politike Europiane, bën bashkë rreth 50 liderë nga pothuajse të gjitha vendet europiane, përveç Rusisë dhe Bjellorusisë, në Pallatin Blenheim në Oksfordshire, vendlindja e kryeministrit legjendar britanik, Winston Churchill, jo shumë larg Londrës.
Të pranishëm janë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Fokusi kryesor i samitit me gjasë do të jetë lideri i sapozgjedhur i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, teksa ai do të bëjë përpjekjen e parë reale për të riorientuar vendin drejt Bashkimit Europian.
Në fjalën hapëse, Starmer theksoi se kërcënimi rus rrezikonte Europën dhe se duhet të bënin më shumë për të mbrojtur kufijtë e tyre. Gjithashtu, ai e cilësoi samitin një mundësi për të përcaktuar një rrugë të re kundër emigracionit ilegal.
Sakaq, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha gjatë një fjalimi se Putin nuk kishte arritur të përçante Europën. Ai u kërkoi udhëheqësve të tjerë të pranishëm të tregojnë vullnet të fortë për të ndalur Rusinë dhe theksoi se e gjithë bota do të fitonte kur agresori të mundej.