Pesë rrjete televizive nën hetim nga Departamenti i Drejtësisë pas bojkotit të mbulimit të Trumpit

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka hapur një hetim ndaj pesë rrjeteve televizive, për të verifikuar nëse vendimi i tyre për të pezulluar për disa ditë mbulimin e përbashkët të aktiviteteve të presidentit Donald Trump përbën shkelje të ligjeve federale të konkurrencës.

Të lidhura

None found

ABC, CBS, CNN, NBC dhe Fox News u janë kërkuar të dorëzojnë komunikimet që lidhen me bojkotin. Autoritetet po shqyrtojnë nëse ky veprim i koordinuar mund të jetë në kundërshtim me ligjin Sherman, i cili ndalon praktikat monopoliste dhe marrëveshjet antikonkurruese mes kompanive.

Vendimi i rrjeteve televizive erdhi muajin e kaluar, si reagim ndaj masës së administratës Trump për t’u hequr akreditimin gazetarëve të CNN, MS Now dhe Politico.

Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë bëri të ditur se Divizioni i Antitrustit po analizon nëse organizatat mediatike kanë shkelur rregullat e konkurrencës. Deri tani, asnjë prej rrjeteve televizive nuk ka dhënë një koment publik për hetimin.

“Presidential pool” është një sistem që u jep mundësi një grupi të kufizuar gazetarësh të ndjekin drejtpërdrejt aktivitetet e presidentit dhe më pas të shpërndajnë materialet e mbledhura me pjesën tjetër të medias.

Hetimi zhvillohet në një klimë të tensionuar mes Shtëpisë së Bardhë dhe organizatave mediatike.

Muajin e kaluar, Trump ua ndaloi CNN-it, MS Now dhe Politico-s hyrjen në Shtëpinë e Bardhë, duke i akuzuar për publikimin e “trillimeve ose gënjeshtrave” në lidhje me administratën e tij.

Gjykata vendosi më pas rikthimin e aksesit për këto media. CNN, MS Now dhe Politico kishin paditur administratën, duke pretenduar se kufizimi i tyre cenonte të drejtat kushtetuese të mbrojtura nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.

Ky amendament garanton lirinë e shtypit dhe, sipas interpretimit tradicional të gjykatave, kufizon të drejtën e qeverisë për të diskriminuar mediat për shkak të përmbajtjes së raportimeve të tyre.

Administrata Trump ka ndërmarrë edhe iniciativa të tjera ligjore ndaj organizatave mediatike, përfshirë padi që lidhen me mënyrën e pasqyrimit publik të presidentit.

Një tjetër përplasje është shënuar me agjencinë Associated Press.

Në shkurt, Shtëpia e Bardhë njoftoi se do të merrte përsipër administrimin e grupit të gazetarëve që ndjekin aktivitetet e presidentit. Për më shumë se një shekull, kjo strukturë ishte menaxhuar nga Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

Gjatë të njëjtit muaj, administrata Trump ndërmori masa për të përjashtuar gazetarët dhe fotografët e Associated Press nga disa hapësira me akses të kufizuar, mes tyre Zyra Ovale dhe avioni presidencial Air Force One.

Shkak për këtë vendim u bë fakti që agjencia vazhdoi të përdorte emërtimin “Gjiri i Meksikës”, në vend të “Gjiri i Amerikës”, emërtim ky i preferuar nga administrata Trump.

Associated Press e çoi çështjen në gjykatë, ndërsa procesi gjyqësor mbetet ende i hapur.

Hetimi ndaj pesë rrjeteve televizive përbën një zhvillim të ri në përplasjen mes administratës amerikane dhe medias. Tani autoritetet duhet të përcaktojnë nëse koordinimi i televizioneve gjatë bojkotit përbënte shkelje të ligjeve federale të konkurrencës.


Shtuar më 11.10.2026 09:04