Kanë kaluar gjashtë muaj nga nisja e sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite kundër Iranit, por përplasja që ka tronditur tregjet e energjisë dhe ka vështirësuar transportin detar në mbarë botën ende nuk ka një përfundim të përcaktuar. Edhe pse kapacitetet ushtarake iraniane janë dëmtuar rëndë, Teherani vazhdon të ketë ndikim mbi Ngushticën e Hormuzit.
Të lidhura
None found
Sipas ekspertëve të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, pavarësisht përkatësisë së tyre politike në Uashington, faza e ardhshme e konfliktit do të varet nga katër çështje kryesore: qëndrueshmëria e Iranit përballë presionit ekonomik, aftësia e diplomacisë për ta kthyer epërsinë ushtarake në një marrëveshje të qëndrueshme, e ardhmja e Hormuzit dhe gatishmëria e Rusisë e Kinës për të ndihmuar në rindërtimin e Iranit.
Ofensiva ekonomike
Zëvendësadmirali në pension Robert Harward, i cili ka shërbyer si ish-zëvendëskomandant i Komandës Qendrore të SHBA-së, e cilëson situatën aktuale si një “gjendje të qëndrueshme”. Megjithatë, sipas tij, Teherani po përballet me një afat që po shkurtohet.
“Koha është problemi i tyre më i madh”, deklaron Harward për Radion Evropa e Lirë. Ai paralajmëron se presioni i pandërprerë ekonomik mund të kthehet gradualisht në kërcënim të brendshëm për Qeverinë iraniane.
Protestat masive të zhvilluara në dhjetor-janar u nxitën nga problemet që prekën nevojat bazike të qytetarëve. Ato u shtypën me forcë brutale, ndërsa mijëra protestues u vranë.
Uashingtoni po e përshkruan konfliktin edhe përmes kësaj qasjeje. Më 24 gusht, sekretari i Thesarit Scott Bessent njoftoi atë që e quajti një “ofensivë ekonomike” me masa që synojnë izolimin e mëtejshëm të Iranit. Gjatë takimeve të ministrave të Financave të G20-ës në Ashevill të Karolinës së Veriut, më 31 gusht dhe 1 shtator, Bessent pritet të ushtrojë presion për këtë çështje.
Harward vlerëson se presioni mund të bëhet kërcënim i brendshëm për Teheranin nëse autoritetet nuk arrijnë më të financojnë Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), milicinë Basij dhe institucione të tjera shtetërore. Të njëjtin efekt mund ta ketë edhe përballja e qytetarëve me mungesa karburanti dhe të artikujve të tjerë thelbësorë.
Sipas tij, ardhja e dimrit mund ta rrisë veçanërisht peshën e këtij presioni.
Në këtë llogaritje, Kina zë një vend vendimtar.
Elaine Dezenski, drejtuese e Qendrës për Fuqinë Ekonomike dhe Financiare në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, thotë se lidhjet ekonomike mes Kinës dhe Iranit kanë rëndësi, por nuk përbëjnë një aleancë në kuptimin tradicional.
Ajo thekson se rreth 80 për qind e naftës që eksporton Irani përfundon në Kinë. Megjithatë, nafta iraniane përfaqëson vetëm rreth 12 deri në 13 për qind të importeve kineze të naftës bruto.
“Nëse Kina do të ndërpriste blerjet e naftës iraniane… kjo do të kishte një efekt të madh”, shprehet Dezenski. Deri tani, megjithatë, Pekini nuk i është bindur presionit të SHBA-së për marrëdhëniet e tij tregtare me Teheranin.
Çështja ka edhe pasoja financiare afatgjata. Eksportimi i naftës iraniane në juanë, së bashku me përdorimin e kanaleve të pagesave jashtë rrjetit të dollarit amerikan, mund të ndihmojë në forcimin e një infrastrukture alternative financiare.
“Mënyra se si Irani po i kryen këto transaksione dhe mënyra se si Kina po i mbështet këto transaksione është një përpjekje për të dëmtuar rolin e dollarit amerikan në tregun global të energjisë”, thotë Dezenski.
A mund të rikthehet diplomacia?
Edhe pse nuk është përjashtuar mundësia e aksioneve të tjera ushtarake, zyrtarët kanë lënë të kuptohet se efektiviteti i tyre mund të ketë arritur kufirin. Kjo nënkupton se objektivat e mbetura për t’u goditur mund të jenë të pakta.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi në qershor se baza industriale e mbrojtjes së Iranit ishte përballur me “shkatërrim masiv”, duke vlerësuar dëmet në 80 deri në 90 për qind. Presidenti Donald Trump fillimisht tha se ishin shkatërruar 90 për qind e raketave iraniane dhe e vendeve të lëshimit të tyre, ndërsa më vonë e ndryshoi vlerësimin në 82 për qind. Ai ka përsëritur vazhdimisht se marina iraniane është shkatërruar.
Megjithatë, forcat që kanë mbetur në dispozicion të Iranit kanë treguar se janë mjaftueshëm të forta për të penguar lëvizjen e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit.
Bradley Bowman, drejtor në Qendrën për Fuqinë Ushtarake dhe Politike në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, e sheh dallimin kryesor te ndarja mes dobësimit të aftësive ushtarake dhe arritjes së një rezultati politik afatgjatë.
“Amerika ka pasur vazhdimisht vështirësi në Lindjen e Mesme për ta shndërruar suksesin në fushëbetejë në rezultate politike të qëndrueshme dhe pozitive”, thotë Bowman për REL-in. “Shpesh fitojmë në fushëbetejë dhe humbim në tryezën e negociatave”.
Ai nënvizon se një ndryshim i qëndrueshëm politik në Iran do të mund të vinte vetëm përmes veprimeve vendimtare të iranianëve. Sipas Bowman, Uashingtoni nuk ka vullnet politik për të dërguar “mijëra e mijëra” trupa në Iran dhe për të përballuar humbjet që do të shkaktonte një operacion i tillë.
Bowman shton se lufta ka nxjerrë në pah nivelin e shpenzimeve amerikane për armët. Ajo ka sjellë gjithashtu pikëpyetje për sasinë e municioneve sulmuese dhe mbrojtëse që u kanë mbetur Shteteve të Bashkuara për konflikte të tjera të mundshme.
Sinjalet që vijnë nga Irani janë të ndryshme.
Disa struktura, mes tyre IRGC-ja, duket se nuk janë të interesuara për të përshpejtuar bisedimet përpara zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, të cilat zhvillohen në nëntor. Në të njëjtën kohë, anëtarë të tjerë me ndikim të autoriteteve klerikale kanë folur së fundmi dhe në mënyrë të përsëritur për problemet ekonomike dhe nevojën për ringjalljen e diplomacisë.
Hormuzi, leva kryesore e Iranit
Gawdat Bahgat, profesor i çështjeve të sigurisë kombëtare në Qendrën për Studime Strategjike të Lindjes së Afërt dhe Azisë Jugore në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes, mendon se zhvillimi më i rëndësishëm i gjashtë muajve të fundit është shndërrimi i Ngushticës së Hormuzit në mjetin kryesor negociues që i ka mbetur Iranit.
“Edhe nëse nënshkruhet një marrëveshje e përkohshme, ajo do të jetë e përkohshme, por në të ardhmen ata do të vazhdojnë të kërcënojnë me mbylljen e ngushticës”, thotë ai.
Përmes kësaj rruge ujore zakonisht kalon rreth një e pesta e naftës, gazit natyror të lëngshëm dhe mallrave të tjera jetike në botë. Pasojat janë ndier edhe në ekonominë amerikane, pasi tregjet globale kanë rritur çmimet e benzinës.
Në pikën e saj më të ngushtë, Ngushtica e Hormuzit ka një gjerësi prej vetëm rreth 39 kilometrash. Si Irani, ashtu edhe Omani pretendojnë 22.2 kilometrat maksimalë që Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS) i lejon si ujëra territoriale. Për rrjedhojë, në këtë hapësirë nuk ka ujëra ndërkombëtare.
UNCLOS është hartuar për të garantuar të drejtën e kalimit transit të anijeve tregtare dhe për të ndaluar pengimin e tyre. Teherani, megjithatë, nuk e ka ratifikuar asnjëherë këtë konventë dhe pohon se nuk ka detyrime që burojnë prej saj. As SHBA-ja nuk e ka ratifikuar UNCLOS-in.
Bahgat vlerëson se shtetet e Gjirit mund të ushtrojnë trysni për një marrëveshje që do të rikthente stabilitetin, edhe nëse ajo do t’i njihte Iranit një rol të caktuar në ngushticë. Për këto vende, prioriteti kryesor është rimëkëmbja e stabilitetit ekonomik.
Pyetja më e ndërlikuar mbetet nëse Uashingtoni do të pranonte ndonjë formë kontrolli iranian ose përfitimi ekonomik nga kjo rrugë detare.
Për Bowman, përcaktuese do të jetë mënyra se si kapitenët e anijeve tregtare dhe kompanitë e sigurimeve e vlerësojnë sigurinë e lundrimit në këtë zonë.
Irani, për këtë arsye, nuk është i detyruar ta bllokojë tërësisht Hormuzin. Sulmet e herëpashershme me raketa ose dronë mund të rrisin primet e sigurimit për anijet dhe të ngadalësojnë transportin detar. Ndërkohë, goditjet ndaj infrastrukturës në shtetet e Gjirit Persik mund të shtojnë presionin mbi vendet që bashkëpunojnë me Uashingtonin.
“Kjo në fakt i shndërron partnerët tanë arabë në instrument presioni që Irani po ushtron ndaj Uashingtonit”, thotë Bowman.
Ndihma ruse dhe kineze për Iranin
Një nga pikëpyetjet e tjera kryesore lidhet me aftësinë e aleatëve të jashtëm të Iranit për ta ndihmuar në procesin e rimëkëmbjes.
Bowman përmend dërgesat kineze të lëndëve kimike, të dhënat ruse për shënjestrimin dhe ndihmën me dronë si tregues të një mbështetjeje në rritje. Ai thotë se Moska po shqyrton dërgimin e aeroplanëve luftarakë Su-35 në Iran, ndërsa Pekini mund të kalojë nga furnizimi me materiale me përdorim të dyfishtë në furnizimin me armë dhe municione.
Ecuria e kësaj mbështetjeje do të ndikohet në masë të madhe nga vlerësimi që Pekini dhe Moska do t’i bëjnë reagimit të mundshëm amerikan.
“Gjëja kryesore që Kina i frikësohet janë sanksionet dytësore nga SHBA-ja”, shprehet Bowman.
Njoftimi i sekretarit Bessent sugjeron se masa të tilla mund të ndërmerren. Por sanksionet e reja mund të sjellin edhe kundërpërgjigje nga Kina, ndërsa mbetet e paqartë se deri në çfarë niveli Uashingtoni është i gatshëm ta shtojë këtë lloj presioni.
Sipas Bowman, rimëkëmbja ushtarake e Iranit duhet parë në kuadër të rrjetit më të gjerë që e mbështet atë.
Një studim i drejtuar nga Bowman ka evidentuar 616 raste bashkëpunimi në fushën e sigurisë mes Kinës, Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut, gjatë periudhës nga janari 2019 deri në dhjetor 2025. Bashkëpunimi ka përfshirë zhvillimin dhe transferimin e armëve, stërvitjet ushtarake, shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës dhe diplomacinë ushtarake./REL
