Inspektorati i Mjedisit ka ndërhyrë ndaj operatorëve të gurthyesve që janë konstatuar duke vepruar jashtë rregullave dhe kërkesave ligjore.
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, bëri të ditur se shtatë gurthyesve u janë ndërprerë punimet, ndërsa tre operatorë janë ndëshkuar me gjoba në vlerën totale prej 7 mijë eurosh.
Të lidhura
None found
Kontrollet që çuan në këto masa janë zhvilluar në Gjilan, Han të Elezit, Shtime, Suharekë, Mitrovicë, Viti, Lipjan dhe Prishtinë.
Pacolli njoftoi se procesi i kontrollit të gurthyesve kishte nisur në mars. Operatorëve iu caktua një afat prej 15 ditësh për të paraqitur dëshmi se aktiviteti i tyre ishte në përputhje me ligjin dhe kriteret mjedisore.
Dokumentacioni i dorëzuar nga rreth 200 gurthyes u shqyrtua gjatë prillit nga një komision i jashtëm i angazhuar nga Ministria. Sipas të dhënave të bëra publike, një pjesë e konsiderueshme e operatorëve nuk i plotësonte kërkesat ligjore.
Vetëm gjatë muajit gusht, ndalimi i punimeve është vendosur për 16 gurthyes.
Inspektorati i Mjedisit vijon kontrollet në terren çdo ditë dhe ka paralajmëruar se verifikimet do të vazhdojnë. Për çdo operator që shkel ligjin, ndot mjedisin ose nuk përmbush standardet e përcaktuara, do të aplikohen masa ndëshkuese.
Pacolli ka theksuar se mbrojtja e mjedisit, tokës, ujit dhe ajrit mbetet e pakompromis, duke deklaruar se përfitimet e askujt nuk do të lejohen të jenë mbi dëmtimin e mjedisit të Kosovës.
