Një anije e përdorur, sipas ushtrisë amerikane, nga trafikantët e drogës për furnizim me karburant është shkatërruar në ujërat ndërkombëtare të Paqësorit lindor.
Operacioni është zhvilluar ndryshe nga aksionet e mëparshme, pasi personat që ndodheshin në bord u evakuuan përpara shkatërrimit të anijes dhe nuk u përdor forcë vdekjeprurëse ndaj tyre.
Të lidhura
None found
Komanda e Përbashkët e SHBA-së për Amerikën Latine dhe Karaibet, SOUTHCOM, deklaroi se anija lidhej me bandën Los Choneros, e konsideruar ndër grupet kriminale më të fuqishme në Ekuador.
Pas largimit nga bordi, personat iu dorëzuan autoriteteve ekuadoriane. Sipas SOUTHCOM, i gjithë operacioni u përgatit dhe u zhvillua në bashkëpunim me qeverinë e Ekuadorit.
Autoritetet amerikane publikuan edhe një videoklip rreth 20 sekonda të gjatë, ku shihet çasti kur një shpërthim i fuqishëm e shkatërron tërësisht anijen.
Ky vlerësohet si rasti i parë i njohur që prej fillimit të fushatës në shtator 2025, kur një anije e dyshuar për trafik droge është asgjësuar nga ushtria amerikane pa bombarduar njerëzit në bord dhe pa shkaktuar viktima mes tyre.
SOUTHCOM tha se objektivi i misionit ishte eliminimi i “një qendre kritike furnizimi për trafikantët e drogës”.
Që nga shtatori i vitit 2025, aksionet amerikane kundër anijeve të dyshuara për transport droge në Detin e Karaibeve dhe në Paqësorin lindor kanë shkaktuar më shumë se 200 viktima. Ushtria amerikane i ka përshkruar personat e vrarë si “narko-terroristë”, ndërsa Uashingtoni deklaron se synimi i fushatës është bllokimi i trafikut detar të drogës drejt tregut amerikan.
Administrata e presidentit Donald Trump, megjithatë, nuk ka bërë publike prova që të dëshmojnë se anijet e goditura gjatë këtyre operacioneve ishin të përfshira në trafik droge ose në veprimtari të tjera të paligjshme.
Aksionet janë kundërshtuar nga organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, mes tyre Human Rights Watch dhe Amnesty International, si edhe nga ekspertë të pavarur të Kombeve të Bashkuara. Sipas tyre, këto sulme bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare, ndërsa përdorimi i forcës vdekjeprurëse është denoncuar si ekzekutim jashtëgjyqësor.
