Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bëri të ditur arritjen e një marrëveshjeje të re energjetike me Venezuelën, përmes së cilës, sipas tij, do të shtohen rezervat dhe furnizimi amerikan me naftë, duke ndikuar në uljen e çmimeve të karburantit.
Të lidhura
None found
Sipas Trump, marrëveshja i siguron SHBA-së kontrollin e shumicës së më shumë se 65 miliardë fuçive të rezervave të provuara të naftës në Venezuelë, pa asnjë shpenzim për taksapaguesit amerikanë.
“Ky transaksion historik i dyfishon më shumë rezervat amerikane të naftës, rrit shumë furnizimin tonë me naftë dhe do të ulë ndjeshëm çmimet e gazit për të gjithë amerikanët”, shkroi presidenti amerikan në rrjetet sociale.
Negociatat për marrëveshjen u zhvilluan nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, në bashkëpunim me presidenten e përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodríguez, si dhe me kompani private.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se marrëveshja i jep Shteteve të Bashkuara 55% të prodhimit real të një kompanie të re private të përbashkët. Për sa u përket rezervave, kjo sipërmarrje pritet të renditet ndër kompanitë më të mëdha private të naftës në botë.
Me mbështetjen e Uashingtonit, Rodríguez u ka akorduar kompanive private koncesione me afat deri në 100 vjet për shfrytëzimin e fushave naftëmbajtëse.
Zyrtari amerikan deklaroi se nafta e nxjerrë do të shërbejë për forcimin e rezervave strategjike të SHBA-së dhe për plotësimin e kërkesave energjetike të vendit.
Marco Rubio e përshkroi marrëveshjen si një “fitore të madhe” për Shtetet e Bashkuara dhe Venezuelën.
“Për popullin venezuelian, kjo marrëveshje do të sjellë gati 100 miliardë dollarë investime private, do të mbështesë mijëra vende pune me paga të larta dhe do të nxisë rindërtimin e ekonomisë së Venezuelës”, u shpreh Rubio.
Vlerësim pozitiv për marrëveshjen dha edhe Delcy Rodríguez. Ajo deklaroi se Venezuela synon të forcojë rolin e saj si fuqi prodhuese energjetike dhe t’i shfrytëzojë rezervat e mëdha të naftës për zhvillimin ekonomik të vendit.
Njoftimi u bë ndërsa çmimi mesatar i benzinës në Shtetet e Bashkuara ka kaluar 4 dollarë për gallon dhe rezervat strategjike amerikane ndodhen në nivele shumë të ulëta.
Venezuela ka rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë, çka e shndërron atë në një partner strategjik për administratën Trump, e cila synon të rrisë furnizimin dhe të ulë kostot e energjisë.
