Njësia federale kundër terrorizmit në SHBA ka hetuar 20 gazetarë

Një entitet që monitoron veprimtarinë e qeverisë federale në Shtetet e Bashkuara thotë se një njësi speciale e agjensisë së Mbrojtjes së Kufirit dhe Doganave (CBP) shfrytëzoi të dhëna sensitive të qeverisë, që ishin përpiluar me objektiv anti-terrorizmin, për të hetuar rreth 20 gazetarë në Shtetet e Bashkuara, ndër ta edhe një reportere e vlerësuar me Çmimin Pulitzer, e cila punonte për agjensinë e lajmeve Associated Press.

Rrjeti i lajmeve Yahoo News, i cili publikoi një artikull të hollësishëm për hetimin, gjithashtu konstatoi se njësia, e quajtur Divizioni Kundër Rrjeteve, hetoi edhe rreth të dhënave të punonjësve të stafit në Kongres dhe ndoshta edhe të vetë anëtarëve të Kongresit.

Agjenti Jeffrey Rambo, i cili pranoi se kontrollonte informacionin për gazetarët në vitin 2017, u tha hetuesve federalë se kjo praktikë është rutinë.

“Kur të vjen një emër në tryezë, e kontrollon nëpërmjet të gjitha sistemeve ku ke qasje; kjo është status quo-ja, kështu veprojnë të gjithë”, citohet nga Yahoo News të ketë thënë zoti Rambo.

Agjensia e lajmeve Associated Press siguroi një kopje të raportit me mbi 500 faqe të inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Në raport citohet e njëjta fjali, por emri i agjentit është mbuluar me bojë të zezë. Agjensia e Mbrojtjes së Kufirit është pjesë e strukturës së Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Këto konstatime alarmuan organizatat e mediave dhe u bënë shkak që të kërkohet një shpjegim i plotë.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për këtë abuzim të dukshëm me pushtetin”, thotë në një deklaratë Lauren Easton, drejtore për marrëdhëniet me mediat në agjensinë e lajmeve Associated Press. “Duket se është një rast kur gazetarët janë ndjekur vetëm pse kanë bërë punën e tyre, dhe kjo përbën një shkelje të Amendamentit të Parë”.

Në deklaratën e saj, agjensia e Mbrojtjes së Kufirit dhe Doganave (CBP) nuk i referohet konkretisht hetimit, por thotë se “kontrollet dhe operacionet hetimore të CBP-së, përfshirë ato që zhvillohen nga Divizioni Kundër Rrjeteve, administrohen në mënyrë strikte nga protokolle të qëndrueshme dhe nga praktikat më të mira. CBP-ja nuk heton individë pa patur baza ligjore dhe legjitime për të ndërmarrë një veprim të tillë”.

Një punonjës në një kafene në San Diego, në pronësi të zotit Rambo, tha të shtunën se zoti Rambo nuk ishte i disponueshëm për të dhënë menjëherë komente. Ai është banor i qytetit San Diego.

Zbulimet e reja janë shembulli më i fundit se si agjensitë federale përdorin pushtetin e tyre për të ekzaminuar kontaktet e gazetarëve dhe personave të tjerë.

Më herët këtë vit, Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland ua ndaloi zyrtarisht prokurorëve të sekuestrojnë të dhënat e gazetarëve për rrjedhje të informacionit nga hetimet, duke lejuar vetëm disa përjashtime shumë të kufizuara. Ky udhëzim i ri zhbën një politikë shumëvjeçare të këtij departamenti. Ndryshimi u bë pas reagimit të gjerë që pasoi zbulimin se Departamenti i Drejtësisë nën drejtimin e ish-Presidentit Trump kishte marrë të dhënat e gazetarëve, si dhe të ligjvënësve demokratë dhe ndihmësave të tyre, si dhe të ish-këshilltarit ligjor të Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn.

Gjatë administratës së ish-Presidentit Obama, hetuesit federalë morën në mënyrë sekrete të dhënat telefonike të disa gazetarëve dhe redaktorëve të agjensisë së lajmeve Associated Press. Të dhënat e marra u përkisnin linjave telefonike në zyra, në shtëpi dhe të numrave celularë.

Shfrytëzimi i këtyre të dhënave nga zoti Rambo dhe njësia në fjalë ishte më i gjerë nga ç’mendohej fillimisht. Inspektori i përgjithshëm paraqiti akuza të mundshme penale për keqpërdorim të të dhënave qeveritare dhe për mashtrim të hetuesve, por Departamenti i Drejtësisë refuzoi të ngrejë akuza ndaj zotit Rambo dhe dy punonjësve të tjerë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Zoti Rambo shprehu pakënaqësinë për median Yahoo News se agjensia e Mbrojtjes së Kufirit nuk e ka mbështetur dhe se është paraqitur në mënyrë të disfavorshme në artikujt e shtypit.

“Asnjë nga këta artikuj nuk më identifikon si një punonjës i organeve të zbatimit të ligjit për të cilin u konkludua se nuk kishte shkelur rregullat, dhe i cili ndërmori veprimet në fjalë me një qëllim real”, tha ai. “CBP-ja nuk e deklaron këtë, refuzon që ta pranojë, dhe refuzon të vërë të drejtën në vend”.

Zoti Rambo ishte identifikuar më parë si agjenti që kontrolloi të dhënat e udhëtimit të gazetares Ali Watkins, e cila në atë kohë punonte për Politico-n, dhe e mori atë në pyetje rreth burimeve të saj konfidenciale. Zonja Watkins shkruan tashmë për gazetën The New York Times.

Zoti Rambo u transferua në vitin 2017 tek kjo njësi e mbrojtjes së kufirit, pjesë e strukturës së Qendrës Kombëtare të Objektivave, me seli në Sterling, të shtetit Virxhinia. Ai u tha hetuesve se i ishte afruar fillimisht zonjës Watkins në kuadrin e një përpjekjeje më të gjerë për t’i shtyrë gazetarët që të raportonin rreth punësimit të detyruar në mbarë botën, si një çështje që lidhej me sigurinë kombëtare.

Ai përshkroi të ketë ndërmarrë përpjekje të ngjashme me gazetaren e agjensisë Associated Press, Martha Mendoza, sipas një përmbledhjeje të paredaktuar që u sigurua nga Yahoo News. Aty thuhet se njësia e zotit Rambo “pati mundësinë ta kontrollojë zonjën Mendoza dhe të konkludojë se ajo është gazetare e besueshme”, përpara se të ndërtonin një marrëdhënie me të, për shkak të ekspertizës që ajo kishte me shkrimin e artikujve për punësimit e detyruar. Zonja Mendoza fitoi për herë të dytë Çmimin Pulitzer në vitin 2016, si pjesë e një ekipi që raportoi për punësimin skllavërues në industrinë e peshkimit në Azinë Juglindore.

Dan White, eprori i zotit Rambo në Uashington, u tha hetuesve se njësia e tij e kontrolloi zonjën Mendoza nëpërmjet disa sistemeve të të dhënave, dhe se “CBP-ja zbuloi se një nga numrat në telefonin e zonjës Mendoza ishte i lidhur me një terrorist”, thotë Yahoo News. Edhe për zotin White u sugjerua ngritja e akuzave penale, por sugjerimi u refuzua.

Në përgjigje, zonja Easton, e agjensisë së lajmeve Associated Press, tha se “Associated Press kërkon një shpjegim të menjëhershëm nga Agjensia për Mbrojtjen e Kufirit dhe Doganave të Shteteve të Bashkuara se përse gazetarët, ndër ta edhe reporterja investigative Martha Mendoza, u kontrolluan nëpërmjet sistemeve të shumta të të dhënave, të cilat përdoren për të gjurmuar terroristët dhe u identifikuan për t’u rekrutuar si informatorë të fshehtë të mundshëm”.

Ishte komunikimi i zotit Rambo me zonjën Watkins që shërbeu si shtysë për hetimin e inspektorit të përgjithshëm. Megjithëse në pamje të parë ai e kontaktoi për shkak të punës së tij kundër punësimit të detyruar, zoti Rambo u zhvendos me shpejtësi drejt një hetimi për rrjedhje të informacionit. Ai madje i dha hetimit emrin “Operacioni Whistle Pig”, sipas llojit të uiskit që ai piu kur u takua me zonjën Watkins në një bar të Uashingtonit, në qershor 2017.

I vetmi person që u akuzua dhe u dënua si rrjedhojë e përpjekjeve të zotit Rambo, është James Wolfe, një ish-drejtues sigurie për Komisionin e Zbulimit të Senatit, i cili kishte një marrëdhënie personale me zonjën Watkins. Zoti Wolfe u vetëdeklarua fajtor se pati gënjyer FBI-në për sa i përket kontakteve të tij me gazetarët.

Gjatë bisedave me agjentët e FBI-së, zoti Rambo u pyet gjerësisht për interesat e tij me zonjën Watkins. Ai përdori të dhënat e udhëtimeve gjatë ballafaqimit për marrëdhënien me zotin Wolfe, duke këmbëngulur se zoti Wolfe ishte burimi për artikujt e saj. Zonja Watkins pranoi ekzistencën e marrëdhënies, por këmbënguli se zoti Wolfe nuk kishte ofruar informacion për artikujt e saj.

Zoti Rambo tha se zonja Watkins nuk ishte e vetmja gazetare të dhënat e së cilës u shqyrtuan nëpërmjet sistemeve qeveritare të të dhënave, megjithëse ai deklaroi gjatë marrjeve në pyetje nga FBI-ja se kishte shqyrtuar vetëm nëse zoti Wolfe po ofronte informacion të klasifikuar. Zoti Rambo tha se ai kishte “bërë kontroll të të dhënave në CBP” për “15 deri në 20 gazetarë që mbulojnë çështje të sigurisë kombëtare”, thuhet në një përmbledhje të marrjeve në pyetje nga FBI-ja, të reflektuar në raportin e inspektorit të përgjithshëm.

Zëdhënësja e gazetës The New York Times, Danielle Rhoades-Ha, tha se detajet e reja rreth hetimit të zonjës Watkins ngrenë shqetësime të mëtejshme.

“Jemi thellësisht të trazuar nga mënyra se si agjensia amerikane e Mbrojtjes së Kufirit dhe Doganave zhvilloi këtë hetim për burimet e gazetares. Siç ka thënë qartazi prokurori i përgjithshëm, qeveria duhet të ndalë përdorimin e hetimeve për rrjedhje të informacionit si një arsye për të ndërhyrë tek gazetaria. Ka ardhur koha që agjensia për Mbrojtjen e Kufirit dhe Doganave të bëjë publike të dhënat e plota të asaj çfarë ndodhi në kuadrin e këtij hetimi, në mënyrë që kjo sjellje e papërshtatshme të mos përsëritet”.

Edhe zonja Watkins tha se është “thellësisht e trazuar nga përmasat e përjekjeve të personelit të CBP-së dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare për të identifikuar burimet e gazetarisë dhe për të gërmuar në jetën time personale. Ishte drithëruese në atë kohë dhe mbetet drithëruese edhe tani”./VOA


Shtuar 14.12.2021 22:53