Një 25-vjeçare është gjetur pa shenja jete mbrëmjen e kësaj të diele në Igumenicë të Greqisë.
Të lidhura
None found
Policia u njoftua nga partneri i saj, një 27-vjeçar, i cili deklaroi në telefon se të dy ishin sulmuar. Ai bëri të ditur gjithashtu se e reja kishte vdekur.
Kur mbërritën në vendngjarje, efektivët gjetën trupin e pajetë të 25-vjeçares. Të dhënat e para flasin për plagë në trup, që dyshohet se mund të jenë shkaktuar me thikë.
Ndërkohë, 27-vjeçari u lokalizua pak më larg, në një pjesë me bimësi të dendur. Para policisë ai pretendoi se edhe vetë ishte sulmuar dhe goditur.
Megjithatë, në verifikimin fillestar nuk iu gjetën plagë të jashtme dhe as shenja të dukshme të një dhune fizike.
Pas marrjes së ndihmës mjekësore, i riu u shoqërua në komisariat, ku do të merret në pyetje lidhur me rrethanat e vdekjes së 25-vjeçares.
Hetuesit po përpiqen të zbardhin mënyrën se si ka ndodhur ngjarja, ndërsa detajet e plota ende nuk janë bërë të ditura.
